Rrëfimi dramatik për vrasjen e mbrëmshme në Veternik

Prishtina

Rrëfimi dramatik për vrasjen e mbrëmshme në Veternik

Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 15:06
Pamje nga vendi i ngjarjes

Në shtëpinë që Ridvan Beqiri nga Ferizaj kishte marrë me qira në Prishtinë kanë mbetur ende gjurmë të plumbave që u shkrepën gjatë përleshjes së tij me hajnat, nga ku mbeti i vdekur një person. Katër hajnat, përfshirë këtu edhe Kujtim Krasniqin që ndërroi jetë në vend të ngjarjes, u zunë në pritë nga Ridvani. Prokuroria po e heton rastin, ndërkaq, kanë lënë të lirë 40-vjeçarin ngase vepra po cilësohet si vetëmbrojte. Media ka qëndruar në vendin e ngjarjes. Lexojeni të plotë rrëfimin nga Veterniku.

Mbrëmjen e së martës rreth orës 21:00 katër persona ja kishin mësyrë lagjes “Halim Bardhoshi” e cila qonte në shtëpinë dy katshe në të cilën tash e dy vite jetonte me qira Ridvan Beqiri nga Ferizaj, së bashku me familjen e tij.

Ridvani ishte brenda në shtëpi së bashku me gruan dhe dy fëmijët, kur katër persona me maska e të armatosur tentuan të hynin për të kryer një grabitje.

Plani siç duket atyre ju shkoi huq, pasi që 40-vjeçari i hetoi hajnat dhe për të mbrojtur fëmijët gruan dhe veten në sy të tyre, u detyrua të përleshej me grabitësit.

Gjatë kësaj përleshje me armë, siç shihet edhe në fotot që ka siguruar Express, mbeti i vdekur Kujtim Krasniqi nga fshati Makovc i Prishtinës. Ai siç ka bërë të ditur policia është emër i njohur për ta, ndërkaq tre persona tjerë janë në arrati. Siç mëson media nuk ka shumë kohë që Kujtimi kishte hapur një biznes.

Ndërkaq, Beqiri është farmacist dhe armën që e ka shkrepur e ka pasur me leje.

Shtëpinë ai e kishte marrë me qira, e pronari i saj banon në Amerikë. Lajmin për atë që kishte ndodhur mbrëmë, pronari i shtëpisë e kishte marrë nga mediat.

Sot gjatë ditës, përderisa hetuesit po shihnin edhe për provat e fundit nga vendi i ngjarjes, shtëpia kishte mbetur e mbyllur.

Siç duket lagja që ka zgjedhur Ridvani është e njohur për probleme të tilla me hajnat.

Media ka marrë disa rrëfime të banorëve të kësaj pjese, që tregojnë se kanë hallin e njëjtë dhe janë shqetësuar nga rasti.

Mirëpo, ata thonë se deri në momentin që erdhi policia nuk kanë dëgjuar zhurmë të armëve pasi që sipas dëshmitarëve janë përdorur shurdhues.

Një nga ta është edhe L.I që nuk ka dashur të bëjë publik emrin për shkak të frikës së mund të ju përsëritet ajo që i ka ndodhur disa herë.

“Jemi të rrezikuar çdo natë nga hajnat në këtë lagje në shpi të mixhës kanë hi edhe kanë vjedhë makina, çdo natë ka vjedhje pothuajse lagja më e rrezikshme e Prishtinës. Ma kanë thy biznesin vjet më kanë bë dëm. Veç nëse qohemi na vetë mahalla me organizu diçka”, tha ai.

Ndërkaq, problem të njëjtë po thotë se ka edhe Naser Aliu i cili ka ardhur për pushim nga Londra për festa të nëntorit.  Ai tha se në këtë lagje i ka tri shtëpi, e të triat ishin cak i hajnave.

“Na kanë bo shpesh dëm, tetë herë mi kanë thy shpijat e na kanë vjedh gjithçka. Por, asnjëherë nuk kemi mundur me e gjete se kush ka qenë, as kamerat e sigurisë nuk kanë bo punë”, është deklaruar ai.

E nga Prokuroria Themelore e Prishtinës kanë bërë të ditur se hetimet ende janë duke u kryer.

“Rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21:00 në Veternik. Katër persona të dyshuar kanë hyrë në një shtëpi për të vjedhur. Dyshohet se kanë qenë të armatosur, kanë drejtuar armën në drejtim të pronarit të shtëpisë ku dyshohet se kanë hyrë për të vjedhur dhe aty janë përdorë armët e zjarrit. Për pasojë njëri nga të dyshuarit ka mbetur i vrarë. Personi i vrarë është i moshës 40-vjeçare. Personi ka shtënë në vetëmbrojte, për momentin nuk është arrestu, hetimet janë duke vazhduar”, tha Ibrahimi.

Banorët e lagjes së Veternikut mbetën të shqetësuar se mos fati i njejtë do t’i ndjekë edhe ata, si shumë herë të tjera që kishin pasur probleme në këtë lagje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat