Ndotja e ajrit të jetë prioritet në politikat publike

Kosova

Ndotja e ajrit të jetë prioritet në politikat publike

Më: 29 nëntor 2018 Në ora: 11:59
Foto

Ambasada franceze bashkë me organizatën joqeveritare, “Ballkan Green Foundation” kanë organizuar një konferencë që i kushtohet parandalimit të ndotjes së ajrit.

Nga Biblioteka Kombëtare u theksua se ndotja e ajrit dhe planifikimi urban duhet të jenë në fokus të çdo shteti dhe për këtë arsye institucionet në Kosovë duhet të kenë vullnet politik që të gjejnë  zgjidhje për këtë problem, sepse njerëzit kanë nevojë për ajër të pastër.

Didier Chabert, ambasadori i Francës në Kosovë, tha se përveç vetëdijesimit të qytetarëve për mos përdorimin e thëngjillit, vëmendje duhet të ketë dhe tek termocentralet. Sipas tij, ato janë të vjetra dhe shkaktojnë një dëme të mëdha në ambient.

Chabert: Ndotja e ajrit duhet të jetë prioritet në politikat publike

“Energjia ndërtohet në Kosovë me qymyr, termocentralet janë të vjetra dhe kjo jashtëzakonisht shqetësuese për Kosovën...pamjaftueshmëria  e transporteve publike sepse dominojnë veturat private, kjo dëshmon se nuk ka pasur planifikim urban në qytetin e Prishtinës, plani i transportit publik ende nuk është rregulluar. Parqet  kanë probleme, çështja e përdorimit të naftës është gjithashtu problem për qytetin e juaj...ajo çfarë  duhet të bëjë Kosova është që të ketë vullnet politik për këtë çështje, sepse ka mungesë. Kosovarët e veçanarisht banorët e Prishtinës kanë nevojë për ajër të pastër. Kjo duhet të jetë prioritet në politikat publike”, tha ambasadori Chabert.

Ndërsa, Ulrica Richardson, nga UNDP tha se ndotja e ajrit dhe  ngrohja globale në përgjithësi po paraqesin mjaft probleme për gjithë njerëzimin. Sipas saj, kjo ka bërë që dhe në shtetet ballkanike të ketë më shumë vërshime.

Richardson, ndër të tjera shtoi se vëmendje të veçantë duhet të ketë Prishtina, pasi siç thotë ajo gjendja është kritike, ndërsa veprime konkrete institucionale nuk po ka për zgjidhje të problemit.

Richardson: Duhet të ketë më shumë presion ndaj institucioneve për ndotje të ajrit

“Është e dobishme për Kosovën që të përparoj në këtë problematik, është mirë që po e shohë këtë mobilizim për ngritje të vetëdijes për ndotje të ajrit sepse po flasim për njërin ndër vrasësit të njerëzimit. Ndotja e ajrit  është rrezik për njerëzimin, ndryshimet klimatike po  prekin të gjitha shtetet.  Ballkani gjithmonë e më shumë po ka problemin e vërshimeve  dhe kjo do të ndodhë  dhe më shpesh në të ardhmen nëse nuk e luftojmë ndikimin e ngrohjes globale…në Prishtinë është gjendja më urgjente sepse nuk po ka  përmirësim, çështja është se gjendja është e njëjtë, ndërsa nuk dihet se a po merren veprime...ne i bëjmë thirrje shoqërisë  civile të bëjë presion institucioneve për këtë problematik, pasi janë pikërisht ato që duhet ta trajtojnë këto”, u shpreh Richardson.

Bashkim Musliu, përfaqësuesi nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor theksoi se duhet të punojnë shumë në  vetëdijesimin e   qytetarëve. Ndërsa shtoi se bashkë me Ministritë tjera janë duke bashkëpunuar për të parandaluar ndotjen e ajrit.

Musliu: Në të gjitha shkollat kemi marr vendim që të ndalohet ngrohja me thëngjill

“Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit kemi arritur marrëveshje që në gjitha shkollat në Kosovë të ndalohet përdorimi i thëngjillit për ngrohje, vendimi ka kosto të mëdha, por në një masë do të ndikoj në uljen e ndotjes, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës kemi marr vendim që t’i kushtojmë më shumë vëmendje  kontrollit teknik të veturave”, tha Musliu.

Në këtë ngjarje komuna e Prishtinës përfaqësohej nga zëdhënësi   Adonis Tahiri.

Ai u shpreh se në kuadrin  komunal janë duke bërë veprime për të zgjedhur problemin e ndotjes së ajrit. Sipas tij, kjo bëhet duke larguar thëngjillin si mjet për t’u ngrohë dhe duke reformuar trafikun urban.

Tahiri: Jemi në reformim të trafikut urban

“Ne jemi në reformim e sipër për trafikun urban, veç janë sjellur autobusët e rinj. Tash jemi në diskutim me secilin operator privat, në vitin e ardhshëm pritët të merret kontrata afatgjata në mënyrë që në kontrata deri në dhjetë vite të arrijmë të investohen në flotën e tyre të autobusëve”, shtoi Tahiri.

Ndotja e ajrit është njëri ndër problemet që po shfaqet vazhdimisht në Kosovë, e në veçanti në kryeqytet.  Institucionet në Prishtinë vitin e kaluar, mirëpo dhe këtë vit nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje për parandalimin e ndotjes së ajrit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat