Në shtëpinë e grabitësit që u vra në Veternik – flasin familjarët dhe fqinjët

Kosova

Në shtëpinë e grabitësit që u vra në Veternik – flasin familjarët dhe fqinjët

Më: 29 nëntor 2018 Në ora: 16:47
Ilustrim, Pronari i shtepise Ridvan Beqiri dhe shtepia ku ndodhi vrasja

U kthye nga Spanja dy vjet më parë dhe u vra para disa netësh në Prishtinë. Kujtim Krasniqi, së bashku me tre persona të tjerë – të gjithë të armatosur dhe me maska - po përpiqej të futej në shtëpinë e Ridvan Beqirit, kur i zoti i shtëpisë i vërejti dhe filloi të shtinte në ta. 42-vjeçari mbeti i vdekur në vend e tre të tjerët ia mbathën. Familja e të ndjerit në Makovc të Prishtinës ka hapur të pamën për babanë e dy fëmijëve. Ata nuk e dinë se si ka ndodhur e gjithë ngjarja dhe se janë të tronditur me mënyrën se si iu vra djali.

Fshatit Makovc të komunës së Prishtinës gjatë ditës së enjte ia kishin mësyrë dhjetëra persona. Të gjithë po shkonin për ta ngushëlluar familjen e Kujtim Krasniqit.

Ai u vra të martën mbrëma derisa dyshohet se kishte hyrë për të vjedhur në një shtëpi në lagjen “Halim Bardhoshi” në Veternik.

Media sot ka qëndruar në familjen e të vrarit. Ata thonë se nuk e dinë se si dhe përse iu vra djali.

42-vjeçari kishte lënë Kosovën gjatë luftës për të migruar drejt Spanjës, edhe pse askush nuk e di se çfarë veprimtarie kishte kryer atje. Nga atje u kthye dy vjet më parë, e në Kosovë hapi edhe një biznes afër shtëpisë së tij.

Ai kishte dy vjet që po punonte në bastoren që kishte hapur në fshat.

Por, natën e 27-nëntorit, Kujtimi së bashku me tre persona tjerë ishin nisur të armatosur e me maska për në shtëpinë e Ridvan Beqirit në Veternik.

Aty, sipas informacioneve që kanë dhënë prokuroria, kishin tentuar të hynin të armatosur e me maska. Nga dera e ballkonit të katërt u hetuan nga Ridvani, e pas kësaj ndodhi edhe një përleshje me armë zjarri, nga ku Kujtimi mori disa plagë të rënda për të vdekur më pas në vend të ngjarjes.

Familjarët të tronditur nga rasti nuk ishin në gjendje të flisnin shumë fjalë për Kujtimin.

“Familja jemi shumë të prekur nga rasti, e dini ju mediat çka ka ndodhë, veçse keni lajmëruar, tash jemi në të pame e na lini në dhimbjen tonë”, u deklaruan ata derisa po pritnin dhjetëra njerëz për ngushëllim.

Mirëpo, në këtë fshat Kujtimi kujtohet ndryshe. Fqinjët kanë fjalë të mira për të.

“Që dy vite ka ardh nga Spanja, djalë i mirë, unë kështu veç e kam përshëndet por nuk di najsen ma shumë. Nuk kemi pas asnjëherë problem dhe nuk kemi pas ide që merret me kësi punë”, tha një nga banorët e fshatit në kushte anonimiteti.

Ndërkaq, të tjerë thonë se është shqetësuese kjo që ka ndodhur duke u frikësuar se njësoj mund të ju ndodhë edhe atyre.

Më së shumti drojë kanë ata fshatarë që merren me biznes. Megjithëse, edhe në Makovc edhe në fshatrat fqinje thonë se disa herë qenë cak i hajnave, nuk e dinë se a mund të ketë qenë ndonjëherë Kujtimi i përfshirë në to.

“Po, na kanë vjedhë disa herë, por nuk e dimë kush është i përfshirë në to, disa herë i kemi zënë derisa kanë tentu me na thy derën e dyqanit”, tha njëri nga pronarët e një biznesi në këtë fshat.

42-vjeçari ka lënë prapa gruan dhe fëmijët.

Sa i përket këtij rasti, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë bërë të ditur se janë ende në fazën e hetimeve.

Kryeprokurori Imer Beka, ka thënë se kanë informacione se i lënduar ka mbetur edhe një i dyshuar tjetër, ndërkaq, janë duke vazhduar hetimet për t’i identifikuar edhe personat që ikën nga vendi i ngjarjes.

“Prokuroria e Shtetit në bashkëpunim me organet e hetuesisë janë duke i vazhduar hetimet për të identifikuar tre personat të cilët dyshohen se kanë qenë të përfshirë në vjedhjen në lagjen e Veternikut ku mbeti i vdekur edhe një person i cili ka qenë i përfshirë po ashtu në vjedhje. Hetuesia dyshon se njëri nga hajdutët që ka ikur nga vendi i ngjarjes ka qenë i lënduar”, deklaroi ai.

Gjithashtu, Beka ka bërë të ditur se kjo lëndë mund të ndryshojë. Ata kanë marrë në pyetje farmacistin, Ridvan Beqiri, nga Ferizaj e deri më tani ai nuk është arrestuar.

“Rreth personit që ka kryer vrasjen nuk do të thotë që do të mbetet i pafajshëm sepse mund të ndryshojë lënda”, ka përfunduar kryeprokurori.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepra që ai ka kryer mund të klasifikohet si “mbrojtje”.

Në rast se rasti kualifikohet si mbrojtje e nevojshme në nenin 12 thuhet se “Vepra e kryer në mbrojtje të nevojshme nuk është vepër penale”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat