Gjykata shpalli dënimet për vrasjen e policit Shemsi Gashi në lagjen Mati në Prishtinë

Kosova

Gjykata shpalli dënimet për vrasjen e policit Shemsi Gashi në lagjen Mati në Prishtinë

Më: 30 nëntor 2018 Në ora: 15:11
Pamje nga gjykata

Në rigjykimin për vrasjen e policit Shemsi Gashi, Gjykata ka shpallur verdiktin ndaj personave të akuzuar lidhur me këtë vrasje.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, si dhe dy anëtarët e tjerë, gjykatësit Beqir Kalludra e Kujtim Krasniqi, pas rigjykimit të këtij rasti kanë shpallur aktgjykimin me anë të të cilit të akuzuarit Ramadan Gashi i është shqiptuar dënimi me burgim prej 25 vjetëve.

Vesel Gjinovci  është dënuar me 8 vjet burgim.

Me 5 vjet burgim është dënuar Kujtim Bejiqi, Vesel Bunjaku me 5 vjet e gjysmë ndërsa Adonis Gashi me 5 vjet e 10 muaj burgim.

Kurse Mujë e Agron Gashi janë liruar nga aktakuza.

Në korrik të këtij viti, Gjykata e Apelit e kishte kthyer këtë rast në rigjykim.

Sipas Gjykatës së Apelit, në aktgjykimin e Gjykatës Themelore ka pasur kundërthënie ndërmjet asaj që thuhet në aktgjykim si dhe deklaratave të dhëna nga dëshmitarët

Gjykata Themelore në Prishtinë u kishte shqiptuar 58 vjet burg shtatë të akuzuarve për vrasjen e rreshterit policor Shemsi Gashi ndërsa njërin nga të akuzuarit Agron Gashin e kishte shpallur të pafajshëm, raporton kallxo.

Herën e parë i akuzuari Vesel Gjinovci ishte dënuar me 9 vjet e gjysmë burg në akuzat për vrasje të rëndë si dhe armëmbajtje pa leje, Kujtim Bejiqi ishte dënuar me 6 vjet burg, Ramadan Gashi i akuzuar për shtytje në vrasje të rëndë si dhe armëmbajtje pa leje ishte dënuar me 25 vjet, Mujë Gashi ishte dënuar me 3 vjet burgim për veprën penale armëmbajtje pa leje, Robert Gashit për veprën penale moslajmërim të veprës penale ishte dënuar me 3 vjet burgim, i njëjti ishte liruar nga vepra penale armëmbajtje pa leje.

Gjykata Themelore Vesel Bunjakut i kishte shqiptuar dënimin me 7 vjet e 6 muaj burgim ndërsa Adonis Gashi ishte dënuar me 4 vjet burgim.

Kurse ndaj të akuzuarit Agron Gashi, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues.

Mirëpo, pas shqyrtimit të ankesave të mbrojtësve të të akuzuarve si dhe të  prokurorit, Gjykata e Apelit kishte marrë aktvendim që për shkak të shkeljeve të cilat thuhet se janë konstatuar në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, çështja të kthehej në rigjykim.

Eprori policor i krimeve ekonomike Shemsi Gashi ishte vrarë më 25 mars 2015 në lagjen “Mati” të Prishtinës, ndërsa për vrasjen e tij Prokuroria Themelore në Prishtinë akuzoi tetë persona.

Ramadan Gashi, Muja Gashi, Agron Gashi, Adonis Gashi, Robert Gashi dhe Vesel Bunjaku akuzohen për planifikimin e vrasjes së Shemsi Gashit, ndërsa për vrasjen e tij ngarkohen Vesel Gjinovci e Kujtim Bejiqi.

Në aktakuzë bëhet e ditur se për vrasjen e Gashit, Vesel Gjinovcit e Kujtim Bejiqit u ishin premtuar 5 mijë euro.

Aktakuza zbulon se shtëpia e Gashit ishte sulmuar me armë një muaj para vrasjes së tij, por rreshteri nuk e kishte lajmëruar sulmin në polici, ngase dëshironte që problemet private t’i mbante larg detyrës zyrtare.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor Vesel Gjinovci e kishte pranuar fajësinë por Gjykata nuk e ka pranuar pranimin e fajësisë nga i akuzuari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat