Kabashiq mungon në konferencën vjetore të Gjyqësorit

Kosova

Kabashiq mungon në konferencën vjetore të Gjyqësorit

Më: 1 dhjetor 2018 Në ora: 13:17
Në Prishtinë po mbahet konferenca e tetë vjetore e gjyqësorit

Në Prishtinë po mbahet konferenca e tetë vjetore e gjyqësorit, ku po diskutohet rreth pavarësisë, transparencës dhe llogaridhënies në këtë sektor.

Kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, ndër tjerash deklaroi se ky vit ka qenë sfidues për ta.

“Kemi bërë rekrutimin e një numri të gjyqtarëve dhe të gjitha pozitat e lira janë plotësuar”.

“Kur jemi tek Veriu, gjyqësori nuk bartet me sfida, por sfida në Veri është komunikimi me një gjuhë si për palët ashtu edhe për gjykatësit, sepse herë- herë duhet të paguajmë përkthyes, por besojmë në angazhimin e 15 përkthyesve që do t’i shërbejnë gjykatës”, u shpreh ai.

Ndërkaq i pyetur nga mediat se a janë prezentë edhe gjykatësit e veriut, ai u deklarua se nuk i kishte parë, e që në fakt, kryetari i gjykatës themelore në Mitrovice, Nikolla Kabashiq, mungonte në këtë konferencë.

Gjatë këtij takimi, Ministri Abelard Tahiri lavdëroi punën e gjyqësorit, pasi sipas tij po rritet efektshmëria çdo herë e më shumë. Ai u shpreh se edhe ministria po e kryen punën ashtu siç duhet duke i plotësuar të gjitha nevojat që ka gjyqësori në aspektin e ligjeve dhe se do të vazhdojnë me këmbëngulje t’i trajtojnë të gjitha shqetësimet e gjyqësorit që të jetë sa më i pavarur.

Ndërsa kryetari i gjykatës supreme, Enver Peci, deklaroi: “Po na thonë që gjyqësori është kushti i fundit për liberalizim të vizave, por ne i kemi kryer të gjitha obligimet, megjithëse nuk punojmë vetëm për çështjen e liberalizimit, por për gjithë qytetarët e Kosovës që të kenë një sistem të drejtësisë sa më të efektshëm dhe më të pavarur”.

Punimet e kësaj konference pritet të vazhdojnë gjatë gjithë ditës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat