Referenca problematike “Kosovë e Metohi” e kryetarëve të dorëhequr në Kosovën veriore

Kosova

Referenca problematike “Kosovë e Metohi” e kryetarëve të dorëhequr në Kosovën veriore

Më: 1 dhjetor 2018 Në ora: 13:54
Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, në një nga protestat në Mitrovicë kundër taksës 100 % ndaj mallrave me origjinë nga Serbia dhe Bosnja.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, tashmë ka pranuar kërkesat për dorëheqje të katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicës Veriore, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.

Ata kanë dhënë dorëheqje dhe kanë pushuar, siç kanë thënë, punën e vetëqeverisjeve lokale sipas sistemit të Kosovës.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal thekson se janë pranuar të gjitha dorëheqjet zyrtarisht nga katër kryetarët.

“Sipas mandatit ligjor, Departamenti Ligjor i Ministrisë po trajton aspektet ligjore të kësaj situate dhe do të ndërmarrim veprimet ligjore siç parashihet me legjislacionin në fuqi", thuhet në përgjigjen me shkrim nga ministria.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ende nuk është deklaruar lidhur me ketë çështje. Radio Evropa e Lirë ka kuptuar se në dorëheqjet e dorëzuara, kryetarët e komunave veriore i referohen Kosovës si "Kosovë e Metohi". Një referencë e tillë, siç mëson Radio Evropa e Lirë, e pamundëson që Haradinaj t’i pranojë ato dhe rrjedhimisht edhe të kërkojë nisjen e procedurave për zgjedhje të lira në këto komuna.

Dorëheqja e kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe, pasoi vendimine Qeverisë së Kosovës për taksën prej 100 për qind për prodhimet e importuara nga Serbia.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se komunat veriore nuk kanë qenë pjesë aktive e asociacionit, por ato kanë përfituar nga asociacioni. Ai thotë se nuk është hera e parë që një apo më shumë kryetarë japin dorëheqje. Sipas tij, tani duhet të respektohen procedurat ligjore për zgjedhjen e kryetarëve të rinj.

"Kemi pasur edhe më herët kryetarë të komunave, të cilët kanë dhënë dorëheqje për arsye të ndryshme. Tani procedura ligjore është se pas pranimit të njoftimit nga kryetarët e dorëhequr te ministria përkatëse, atëherë në afatin kohor të përcaktuar me legjislacion, ministria duhet ta njoftojë presidentin për dorëheqjet dhe brenda 40 ditëve në tërësi zgjedhjet për kryetar të komunave duhet të ndodhin në ato komuna", shpjegon Ibrahimi.

Ai thotë se para se të merret një vendim për zgjedhjet, autoritetet e vendit duhet të bëjnë një vlerësim të situatës në atë pjesë të Kosovës.

Sipas tij, autoritetet komunale në veri, as më herët, as tani, nuk i kanë respektuar simbolet e Republikës së Kosovës.

"Ata nuk kanë marrë pjesë aktive në aktivitetet e asociacionit, kanë marrë pjesë vetëm kur ka pasur shpërndarje të të mirave materiale, apo kur ka qenë fjala për licencimin e zyrtarëve të prokurimit, do të thotë në këto raste kanë marrë pjesë, por në tërësi nuk kanë marrë pjesë dhe nuk kanë paguar anëtarësi. Ata nuk i kanë respektuar simbolet e Kosovës. Kryetarët e komunave, në bazë të legjislacionit në fuqi, më shumë duhet të merren me ofrimin e shërbimeve të mira për qytetarët, ngritjen e cilësisë së jetës së qytetarit sesa të merren me politika madhore", shton Ibrahimi

Në Ligjin për Zgjedhjet Lokale në Kosovë, thuhet se “pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës ose shkarkimit të kryetarit të Kuvendit, nëse nuk parashtrohet ankesë në afat prej pesë ditësh te Gjykata Kushtetuese, zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga Presidenti i Kosovës”.

Zgjedhjet shpallen jo më vonë se 10 ditë pas shpërbërjes, kurse duhet të mbahen më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërbërjes.

Sipas ligjit, vetëm Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), mund t'i ndryshojë afatet kohore në rast se kjo nevojitet për shkak të rrethanave./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat