Sakrifica e dëshmorëve të shpërblehet duke avancuar Kosovën për një të ardhme më të mirë

Kosova

Sakrifica e dëshmorëve të shpërblehet duke avancuar Kosovën për një të ardhme më të mirë

Më: 3 dhjetor 2018 Në ora: 12:46
Pamje nga akademia përkujtimore, me rastin e shënimit të 20-vjetorit të rënies së dëshmorëve të Zonës Operative të Llapit, Hyzri Talla, Afrim Maliqi dhe Ilir Durmishi.

Vetëm falë gjakut dhe sakrificës së dëshmorëve, Kosova sot gëzon të arriturat e sotme.

Kështu u tha në një akademi përkujtimore, me rastin e shënimit të 20-vjetorit të rënies së dëshmorëve të Zonës Operative të Llapit, Hyzri Talla, Afrim Maliqi dhe Ilir Durmishi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se para njëzet viteve Kosova humbi tre intelektualë të rëndësishëm në luftën kundër masave represive serbe.

I pari i shtetit theksoi se pa sakrificën e gjithë dëshmorëve të Kosovës këto të arritura nuk do të arriheshin.

“Njëri ndër veprimtarët e paepur ishte dhe Hyzri Talla. Kam pasur nderin dhe përgjegjësinë të jem bashkëpunëtor me të. Ditën e 2 dhjetorit të 1998, ai ishte në Prishtinë bashkë më bashkëpunëtorët. Por, vrasja në pritë ishte treguesi më i mirë që tregon çfarë rëndësie kishin ata për Ushtrinë çlirimtare”, tha presidenti Thaçi.

Kryeparlamentari Kadri Veseli tha se nderimi për dëshmorët nënkupton sakrificën e madhe që ata kanë bërë për liri të vendit.

“Kjo ishte vendosmëria e trimave të lirisë, në krye të detyrës dhe në shërbim të atdheut. Dhimbja ishte më e madhe, por vendosmëria ishte më e madhe se dhimbja”, tha  Veseli.

Ai foli dhe për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës, ku tha se gjatë këtij muaji do të përmbyllet ky proces.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj është shprehur se nderimi për heronjtë është vlerë e madhe, sipas tij përveç sfidave të kaluara, duhet kushtuar rëndësi dhe sfidave të tanishme.

“Pa këta burra, dëshmorë, heronj, nuk do të jemi këtu, por dhe pa sfidat e së tashmes nuk do arrijmë atë qe kemi synuar”, tha ai.

Pjesë e kësaj akademie përkujtimore ishte dhe komandanti i zonës së Llapit, Rrustem Mustafa, i cili tha se përkushtimi për dëshmor është detyre e të gjithë neve, ndërsa avancimi i shtetit të Kosovës është nder për ta.

Vajza e dëshmorit, Hyzri Talla, Elsa Talla tha se shpreson se sakrifica e të rënëve për liri, përfshirë dhe babanë e saj, të shpërblehet duke avancuar Kosovën për një të ardhme më të mirë.

Hyzri Talla, Ilir Durmishti dhe Afrim Maliqi kanë rënë heroikisht në dyluftim me forcat serbe më 2 dhjetor të vitit 1999, në ‘Breg të Diellit’ në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat