Si ndikoi rrëfimi i Vasfijës te shumë viktima të dhunës seksuale

Kosova

Si ndikoi rrëfimi i Vasfijës te shumë viktima të dhunës seksuale

Më: 5 dhjetor 2018 Në ora: 16:54
Qendra Kosova për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës

2018-ta po konsiderohet të jetë vit historik për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ishte Vasfije Krasniqi-Goodman, ajo që për herë të parë foli publikisht se ka qenë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës.

Rrëfimi i saj shërbeu si motiv që shumë gra të tjera të marrin zemër dhe të shpalosin historinë e tyre, ku shumë gra kanë marrë guximin për të treguar në familjet e tyre se kanë qenë viktima të dhunës seksuale.

Vasfija rrëfimin e saj e ka dhënë në kuadër të fushatës “Bëhu zëri im”, të cilën Qendra Kosova për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës e ka organizuar gjatë këtij viti, e sot në një tryezë diskutimi është diskutuar për ndikimin që ka pasur rrëfimi i saj.

Me këtë rast është lansuar edhe një video mesazh sensibilizues i realizuar nga Vasfije Krasniqi-Goodman, ku ajo edhe një herë ka bërë thirrje për një mbështetje më të fuqishme për të gjithë të mbijetuarit.

Kryetarja e QKRMT-së, Feride Rushiti, ka thënë se 2018 ka qenë vit historik për viktimat e dhunës seksuale. Ajo ka përmendur se në këtë vit ka filluar t’iu njihet statusi viktimave të dhunës seksuale dhe ka filluar kompensimi ndaj tyre.

Ndërsa, ka thënë se është i historik edhe për faktin se për herë të parë një grua ka rrëfyer publikisht historinë e saj.

Rushiti: Tabuja e krijuar ndihmoi dhunuesit të mos ndëshkohen

“Ndarja e historisë personale, e rrëfimit të tillë që e bëri Vasfija ka pasur një jehonë tej nivelit nacional të Kosovës dhe ka zgjuar një debat shoqëror dhe i ka thirr tërë shoqërisë të mendojë dhe debatojë ndryshe. Për vetë faktin se gjatë periudhës kur ajo ka qëndruar në Kosovë, po edhe tani kur qëndron në Teksas, ajo ka marrë dashuri, përkrahje prej njerëzve më të thjeshtë atje nga fshatrat e deri te niveli më i lartë institucional. Kjo tregon se shoqëria është zgjuar nga ajo letargjia e përgjithshme, do të thotë se nuk e trajton më si plagë të mbyllur, si plagë të heshtur, për vetë faktin se kjo plagë e heshtur dhe e mbyllur është tabu që është krijuar iu ka ndihmuar më së shumti dhunuesve që të mos ndëshkohen”, tha ajo.

Ndërkaq nga Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave, Kadire Tahiraj, ka thënë se rrëfimi i Vasfije Krasniqit-Goodman ka pasur efekt pozitiv te të gjitha të mbijetuarat e dhunës.

Tahiraj është shprehur se ajo me rrëfimin e saj ka thyer heshtjen dhe një tabu që ka qenë në shoqërinë kosovare. Madje, ajo ka treguar se si një grua ka vendosur të rrëfehet të bashkëshorti i saj vetëm pasi kishte dëgjuar rrëfimin e Vasfijës.

Tahiraj: Pasi ka dëgjuar rrëfimin së bashku me burrin ajo ka marrë guximin t’i tregojë

“E shikoj burri rrëfimin e Vasfijes edhe u drejtua nga televizioni dhe tha të lumtë heroinë, të lumtë Shotë Galica, atëherë unë për momentin isha afër burrit dhe më fuqizojë se kur mund ta shpalosi rrëfimin tim që e kisha mbajt për 20 vite. Shumë e shumë gra, për fat të keq, nuk kanë mundur t’i mbijetojnë kësaj heshtjes, sot nuk janë në mesin tonë. Gruaja që ka qenë aty në prezencë të bashkëshortit duke dëgjuar rrëfimin për momentin është ndjerë gruaja më e fuqishme dhe ka marrë guximin dhe të nesërmen i ka treguar bashkëshortit”, tregoi ajo.

Ajo ka thënë se shumë e rëndësishme është edhe mbështetja e familjes, ku ka përmendur rastin kur ditën kur është rrëfyer Vasfija vëllai i saj ka qenë prezentë dhe se në fund u është drejtuar të gjithëve në sallë duke iu thënë se ai është vëllai i të gjithave.    

Mirlinda Sada nga Medica Gjakova, ka thënë se rrëfimi ka sjellë reagime të shumta, ku ndër të tjera ka treguar se çka kanë thënë viktimat e dhunës.

Sada: Menjëherë pas luftës ajo ka paditur keqbërësin

“Të gjitha klientët thanë jo pse Vasfija përveç se është Krasniqi është edhe Goodman, ka pasur edhe kësi raste që janë diskutuar. Asaj i ka ndihmuar një burrë që ka qenë jo shqiptar, amerikan dhe jeton atje, ajo pas këtij veprimi nuk do të ballafaqohet me realitetin e tmerrshëm të kosovar. Atë nuk do ta ndjekin sytë që e ndjekin çdo grua që është sot në Kosovë dhe është e mbijetuar. Ajo nuk do t’i dëgjojë thashethemet prapa krahëve të saj edhe ne ndoshta do të flisnin po të ishim në Amerikë. Por, ne nuk guxojmë të harrojmë se Vasfija para se me qenë Goodman ka qenë Krasniqi dhe familja e saj i ka dhënë asaj kurajë që ajo të mos heshtë, pasi menjëherë pas luftës ajo ka paditur keqbërësin”, tha Sada.

Në anën tjetër, sociologia Linda Gusia, tha se është me rëndësi të ceket se ka një histori të gjatë të grave që kanë tentuar të thyejnë heshtjen përkundër deklaratave të politikanëve se “nuk është kjo temë që duhet me u hap”, dhe që sipas saj, të njëjtit nuk e kanë votuar ligjin.

Ajo u ndal edhe te paraqitja publike, ku tha se Vasfije Krasniqi- Goodman, në veten e parë, me zërin dhe historinë e saj, ka arritur t’i prekë të gjithë.

Gusia: Vasfija e personalizon historinë teksa nuk kemi asnjë tentim për drejtësi

“Vasfija në një mënyrë, e personalizon, e humanizon historinë, të cilën të gjitha këto gra që janë këtu, me vite kanë synuar me e tregu, se dhuna seksuale është mjet lufte, dhuna seksuale është bërë në mënyrë sistematike në Kosovë. Në Kosovë nuk kemi ballafaqim të drejtë me të kaluarën  tonë, kemi fshirje, përdhunosje të kujtesës tonë dhe të asaj se çfarë ka ndodhur gjatë luftës. E mos me fol, që s’kemi asnjë tentim më të voglin për drejtësi”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, Igballe Rugova, drejtoreshë e Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës, ka folur për atë se a ka pasur drejtësi për viktimat e dhunës seksuale. Ajo tha se vazhdimisht është kërkuar drejtësi, por që sipas saj gjithmonë ka qenë e stopuar.

Rugova: Vazhdimisht është kërkuar drejtësia, por ka qenë gjithmonë e stopuar

“Vazhdimisht është kërkuar drejtësia, por ka qenë gjithmonë e stopuar siç është akoma stopuar shumë çështje të tjera në Kosovë. Unë shpresoj se nuk po mundem të them besoj, shpresoj që Gjykata Speciale ka me bë diçka, se ajo nuk është vetëm për UCK-në, është për njerëzit, individët që kanë bërë krime. E këtë individ nuk janë vetëm shqiptar, por hyjnë të gjithë ata që kanë bërë krime në Kosovë, sepse drejtësia ndërkombëtare ka dështuar, ka dështuar edhe Haga”, tha ajo.

Ngjarja e sotme është mbajtur në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit, ku është diskutuar tema “Jehona e zërit të saj: Ndikimi i paraqitjes publike të zonjës Vasfije Krasniqi Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat