Flasin familjarët e 39-vjeçarit nga Drenasi që vdiq në vendin e punës në Gjermani

Kosova

Flasin familjarët e 39-vjeçarit nga Drenasi që vdiq në vendin e punës në Gjermani

Më: 5 dhjetor 2018 Në ora: 19:57
Pamje nga vendi i ngjarjes

Jeta që kishte në Kosovë nuk qe e lehtë për 39-vjeçarin, Florim Istogu, nga fshati Verboc i Komunës së Drenasit. Babai i tre fëmijëve u detyrua të marrë rrugën e mërgimit që t’ua sigurojë një jetë më të mirë familjes së tij. Por, ende pa u bërë tetë muaj, ai ndërroi jetë tragjikisht deri sa punonte në një firmë të ndërtimtarisë. Media ka qëndruar në familjen Istogu nga ku vëllai i të ndjerit, Shpejtimi ka rrëfyer për rastin

Shumë persona janë drejtuar të mërkurën për në familjen Istogu në fshatin Verboc të Komunës së Drenasit.

Në varrezat e këtij fshati, kjo familje i dha dje lamtumirën e fundit Florim Istogut, e për 39-vjeçarin tashmë kanë hapur të pame.

Florimi, baba i tre fëmijëve, që dikur kishte punuar si shofer, ishte nisur tetë muaj më parë për në Gjermani, aty ku e priste vëllai i tij, Shpejtimi në një qytet që gjendej afër Dortmundit.

Aty do të punonte në këtë periudhë në një firmë të ndërtimtarisë, por dita e 26 nëntorit nuk do të përfundonte si ditët e tjera.

39-vjeçari do të lëndohej aksidentalisht në vend të punës, për të vdekur kështu pak minuta më vonë.

Express gjatë ditës ka qëndruar në fshatin Verboc të Drenasit, nga ku vëllai i tij, Shpejtimi, që punonte së bashku me të ka rrëfyer se si ka ndodhur rasti.

“Me ja bo një jetë më të mirë atij e kam marrë atje që tetë muaj, po ndodhi kjo aksidentalisht. Që tetë muaj ka qenë shumë mirë, është ambientuar ka qenë i kënaqur me punë deri më tash ka shku mirë, atë ditë nuk kam qenë aty, kam pas një termin te mjeku” rrëfente vëllai i të ndjerit.

Por, derisa Shpejtimi ishte drejtuar për të kryer një kontroll mjekësor, dikush e mori në telefon.

“13 minuta para se me vdekë më ka thirrë në telefon, më tha çka të tha mjeku. I thash pasi të kthehem të kallxoj pasi që ende nuk kam shku. Pak minuta më vonë më thirri nipi që ka qenë me të, më tha hajde se është lëndu”, vazhdon Shpejtimi.

E pas kësaj, ai u drejtua menjëherë për në vendin ku punonin së bashku, por, vëllain e gjeti gjallë vetëm edhe për pak minuta.

“Gjallë e kam nxanë me shpirt, ama pa vetëdije, pas 15 minuta apo 20 qaq jetë ka pas. Nipi ka qenë aty,  kanë dal prapa e kanë nxjerrë prej aty. Unë i kam fol te krytë atij sa me majt mos me lanë me ra në komë, i kam fol te krytë po përgjigje ska mujt me kthy. Pas pesë minutave që kam shku une ka ardhë helikopteri edhe ambulanca aty janë mundu me i dhanë ndihmë me ja liru frymëmarrjen po ai nuk ka pasë jetë ma shumë,” tha vëllai i të ndjerit.

Florim Istogu në vend të punës në Gjermani

Shpejtimi pastaj mori vesh edhe se si kishte ndodhur rasti.

“Një muri prej betoni e kemi bo tash tu i shkatërru ato elementet që i marojmë atë murin e betonit ka e kanë shkatërru shtrafat e ngjitur i kanë liru po nuk ka qenë mirë i shtrëngum ai ka dalë prapa edhe i ka ra pllaka përsipër”, tha ai.

Pasi Florimi ndërroi jetë në vend të ngjarjes, u deshtën edhe shtatë ditë për të bërë të gjitha ekzaminimet e nevojshme.

“Pas ekzaminimeve ende nuk kemi marrë dicka zyrtare gjithçka na kanë thënë se ka ndodh aksidentalisht”, shtoi ai.

Kufoma erdhi të martën në Kosovë, në ditën kur u bë edhe varrimi, ndërkaq e pamja do të vazhdojë deri të premten.

Shpejtimi që ka marrë rrugën e kurbetit që 23-vite thotë se familja e tij është duke e përjetuar rastin shumë rëndë, pasi që një fatkeqësi të njëjtë kishin pasur edhe në kohën e luftës, kur atij iu vranë dy vëllezër.

Fshati Verboc-Drenas

“Fëmijët e gruaja janë te përjetu ran bollë, veç ishalla zoti na nimon atyne edhe neve. Nëna është ka e përjeton edhe më rëndë, se ne i kemi edhe dy vëllezër të mbytur në luftë, i kanë vra gjatë luftës. 6 vëllezër kemi qenë, kemi mbetë edhe tre. Për nënën është më së rëndi. Po ish kanë e shkrume qashtu”, thotë ai.

Shpresë kanë që shteti gjerman do t’iu ndihmojë së paku fëmijëve e gruas me ndonjë pension.

Ndërkaq, familja thotë se problemi është se shteti atij nuk ia mundësoi një jetë mesatare, që të mos kishte nevojë të merrte rrugën e mërgimit.

 “Problemi po dihet se ku është së pari shtet nuk kemi, ai thoshte po ta kisha një rrogë në Kosovë, kurrë nuk do të kisha lëshu Kosovën. Duhet me pa edhe shteti se çka po hjekin shqiptarët në diasporë, nuk është mirë që këta të rinjtë tonë te lejnë Kosovën të ikin me ndërru jetë jashtë Kosovës”

39-vjeçari, Florim Istogu ka lënë prapa gruan dhe tre fëmijë, një vajzë 14-vjeçare dhe dy djem, njëri 11 dhe tjetri 8 vjeçar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat