Bllokimi i rrugës Hani i Elezit-Kaçanik, krijon kolona të gjata dhe pasiguri

Kosova

Bllokimi i rrugës Hani i Elezit-Kaçanik, krijon kolona të gjata dhe pasiguri

Më: 8 dhjetor 2018 Në ora: 18:26
Hani i Elezit-Kaçanik

Punimet për ndërtimin e urës së autostradës “Arbën Gjaferi”, kanë bërë që magjistralja Kaçanik-Hani i Elezit të bllokohet tërësisht për kalim por si pasojë e kësaj në atë zonë janë krijuar kolona të gjata të kamionëve dhe votuarave në pritje për të gjetur një zgjidhje.

Kompania përgjegjëse për punimet “Betchel Enka”, ka ofruar një rrugë alternative, e cila është duke u përdorur. Mirëpo pavarësisht kësaj, qytetarët që kalojnë andej shprehen të revoltuar me vonesat që po ndodhin.

Sipas tyre, rruga alternative është mjaft e rrezikshme dhe si pasojë e kësaj po ka konfuzitet se a duhet kaluar andej, apo të përdoret ndonjë rrugë tjetër.

Muhamet Livoreka nga Hani i Elezit, me tone të ashpërta,  shprehet i nervozuar me këtë gjendje.

Ai për KosovaPress thotë se ka dy ditë që rruga kryesore është bllokuar dhe kjo që është dhënë si alternativ, është shumë e rrezikshme.

Livoreka: Krejt e bllokuar rruga

“Shumë krejt e bllokuar rruga.... jo hiç krejt katastrofë është... një të sëmur ose duhet me vazhdu këndej ose andej”, ka thënë ai.

Ndërsa, Remzi Loku nga Kaçaniku që punon si taksist, ka thënë se përveç pritjes së gjatë, rruga alternative është shumë e keqe, pasi është vetëm një drejtim dhe duhet ngjitur kodrave.

Loku: Rruga është e ngushtë

“Siç po shihet jo vetëm tridhjetë minuta, por pesë ore do të presim për të shkuar deri në lokacionin që kemi...rruga është e ngushtë, vetëm një drejtim mundet me kalu, jo dy”, tha Loku për KosovaPress.

Kurse, një qytetar që kishte ardhur nga Shkupi për të vizituar, Prishtinën, ka thënë se këto vonesa që po bëhen po shkaktojnë pakënaqësi të madhe, deri në atë masë, siç thotë ai, mos hyrjes më në Kosovë.

Ai ndër të tjera tha se përveç rrezikshmërisë, po dëmtohen veturat dhe harxhimet po janë më të mëdha.

“Jemi duke pritë qe dy orë këtu, nuk e di çka është problemi... shumë e rrezikshme, plus ka harxhime më të mëdha se sa që duhet”, përfundoi ai.

Ngjitur me rrugën që po shfrytëzohet si mundësi për të qarkulluar shihen familjarë që banojnë në shtëpi afër.

Ata prapa kamerës së KosovaPress, thanë se kjo rruge është e mjerueshme. Sipas tyre gjithë ky trafik që po bëhet rreth shtëpive të tyre po i sjell vetëm dëme.

Ndërsa, Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se për shkak të vendosjes së trarëve në Urën 407 dhe për sigurinë publike, rruga nacionale Kaçanik – Hani i Elezit, do të qëndroi e mbyllur nga e premtja deri të martën.

Gjatë muajit të kaluar pikërisht në këtë zonë ka ndodhur një aksident, ku ka rënë njëri ndër trarët dhe janë lënduar tre persona.

Image
Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat