Viktimat e dhunës nuk janë vetëm

Kosova

Viktimat e dhunës nuk janë vetëm

Më: 10 dhjetor 2018 Në ora: 14:14
Konferenca rajonale “Qasja në drejtësi për viktimat e dhunës në familje dhe në baza gjinore”.

Si shoqëri kemi obligim që traditën ta plotësojmë me komponentën e vlerësimit të gruas në dimension e plotë socio-ekonomik, socio-politik, socio-kulturor dhe arsimues.

Kështu u tha në konferencën rajonale “Qasja në drejtësi për viktimat e dhunës në familje dhe në baza gjinore”.

Konferenca me moton “Ti nuk je vetëm”, është paraparë të jetë dy ditore.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj theksoi rolin e Qeverisë për kontributin e dhënë në parandalimin e dhunës në familje dhe në baza gjinore.

Haradinaj: Parandalimi i dhunës, një avancim i jashtëzakonshëm 

“E kemi funksionalizu komisionin për njohjen e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës dhe ka nis po ashtu aplikimi i skemës pensionale edhe ka nis ndarja e pensioneve, kjo është një zhvillim i ri në Kosovë. Pastaj në Kodin Penal tashmë është përcaktuar dhuna në familje si vepër e veçantë penale konform kritereve të Konventës së Stambollit, pra është përfshi në kodin tonë penal. Institucionet e sigurisë së drejtësisë po i trajtojnë rastet e dhunës në familje, kanë kriju kapacitete, janë rritë kapacitetet për këtë temë. Janë caktu koordinatorët për rastet e dhunës në familje n të gjitha Gjykatat Themelore dhe në Prokurori që po ashtu është një avancim i jashtëzakonshëm”, ka thënë Haradinaj. 

Ai tutje theksoi edhe mundësinë e krijimit të një buxheti të qëndrueshëm për këtë kategori. 

Ndërsa, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri përmendi  lirinë dhe barazinë si elemente përparimtare të çdo kushtetute të civilizimeve përparimtare. Sipas tij, këto shtylla janë pjesë e pandashme edhe e kushtetutës së Republikës së Kosovës. Tutje ai përmendi edhe traditën si element kur nënat janë vlerësuar, po që sot kjo është e pamjaftueshme.

Tahiri:  E kemi obligim ta plotësojmë  komponentën e vlerësimit të gruas

“Ne rrjedhim nga një traditë me të cilën vërtetë janë vlerësuar nënat, por sot kjo është e pamjaftueshme, si shoqëri e kemi obligim që traditën ta plotësojmë edhe me komponentën e vlerësimit të gruas. E kemi obligim ta plotësojmë me komponentën e vlerësimit të gruas në dimension e plotë socio-ekonomik, socio-politik, socio-kulturor dhe arsimues. Kemi nevojë për komponentën e barazisë së gruas në çdo kuptim, edhe në parandalimin e çdo rrethane që e cenon të drejtat e saj”, the Tahiri. Zëvendësministri i drejtësisë dhe njëherësh edhe koordinator Nacional për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhunës në Baza Gjinore, Naim Qelaj tha se përmasat e dhunës në familje janë shqetësuese dhe po marrin jetën e më të dashurve tanë. 

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova theksoi rendësin e mobilizimit të përgjithshëm që duhet të ketë për këtë temë. 

Apostolova: Ato nuk janë vetëm 

“Mobilizimi është i përgjithshëm. Janë organizuar më shumë se njëqind aktivistë, duke filluar nga ata simbolik e deri tek aktorët dhe veprimet më të rëndësishme. Të gjitha kanë për qëllim ngritjen e vetëdijes për nevojën për të mbështetur viktimat dhe për t'u treguar atyre se nuk janë vetëm dhe se mund të mbështeten tek të gjithë ne”, tha ajo.

Ajo përmendi mbështetjen  e Zyrës së BE-së në Kosovë për iniciativën e ndryshimit e plotësimit të Kushtetutës  për të përfshirë edhe Konventën e Stambollit në mesin e instrumenteve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut si të obligueshme për tu zbatuar në Kosovë. Zëvendësambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Colleen Hyland theksoi bashkëpunimin e mirë që ka pasur Ambasada e SHBA-ve në trajtimin e viktimave. Hyland: Ambasada e mbështet Kosovën në trajtimin e viktimave të dhunës 

“Ambasada jonë punon vazhdimisht më palën kosovare për të përmirësuar trajtimin e viktimave të dhunës në familje. Disa prej përpjekjeve tona  të përbashkëta përfshijnë një doracak për gjyqtarë për të inkurajuar trajnim të njëtrajtshëm dhe proaktiv të urdhrave mbrojtës të rasteve penale të dhunës në familje”, shtoi Hyland 

Fillimit të konferencës i parapriu një dokumentar i shkurtër vetëdijsues për parandalimin e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat