Për një vit 74 të arrestuar për korrupsion, prej tyre edhe zyrtar shtetërorë

Kosova

Për një vit 74 të arrestuar për korrupsion, prej tyre edhe zyrtar shtetërorë

Më: 11 dhjetor 2018 Në ora: 13:57
Këto të dhëna u bënë të ditura gjatë një konference për media përmes së cilës Policia e Kosovës e ka shpalosur punën e këtij institucioni për luftimin e korrupsionit

Gjatë këtij viti Policia e Kosovës në luftimin e korrupsionit ka iniciuar gjithsej 393 raste, prej tyre 74 persona të arrestuar, janë paraqitur 336 kallëzimeve penale, ndërsa janë asgjësuar 7 grupe kriminale.

Këto të dhëna u bënë të ditura gjatë një konference për media përmes së cilës Policia e Kosovës e ka shpalosur punën e këtij institucioni për luftimin e korrupsionit, si dhe është lansuar fushata vetëdijesuese me moton “Zero ryshfet për të korruptuarit”.

Drejtori i Departamentit për Hetime, Riza Shillova, tërhoqi vërejtjen se luftimi i korrupsionit  është një kërcënim serioz për zhvillimin ekonomik dhe proceset integruese nëpër të cilat po kalon Kosova.

Policia e Kosovës ka treguar një efikasitet të lartë, ndonëse sipas tij, rezultatet duhet të jenë më të larta, andaj  edhe janë angazhuar në drejtim të reformimit të  ngritjes së kapaciteteve.

Duke zbatuar dispozitat ligjore për konfiskim të pasurisë të aseteve, Shillova tha se deri në këtë periudhë të vitit kanë konfiskuar 6 banesa, 2 shtëpi, 39 parcela tokë, 4 lokale, 2 garazhe.

Shillova: Fokus kemi goditjen  e rasteve të profilit të lartë

“Fokusi jonë ka qenë kryesisht edhe do të jetë në goditjen ose në hetimin e rasteve të profilit të lartë, si dhe në zbatimin  e ligjeve që kanë të  bëjnë me hetimet financiare, të cilat do të rezultojnë në fund me konfiskim të aseteve sidomos në zbatimin e legjislacionit i cili ka të bëjë me kompetencat e zgjeruara në fushën e konfiskimit të pasurisë. Si rezultat i aplikimit të dispozitave të ligjit për kompetencat e zgjeruara të konfiskimit të pasurisë, Policia e Kosovës vetëm gjatë kësaj periudhe kohore prej 1 janari deri sot ka arritur që të konfiskoj një sasi bukur të madhe të aseteve, ose të pasurisë në këtë rast kisha veçuar disa rezultate që janë konfiskuar gjashtë banesa këtë vit dy shtëpi, 39 parcela tokë, katër lokale afariste, dy garazhe”, u shpreh ai.

Shillova u shpreh se prioritet i Policisë së Kosovës në vitin 2019 mbetet trajtimin e rasteve korruptive.

Ndërsa, Bashkim Spahiu nga Drejtoria për hetime ekonomike dhe korrupsionit, u shpreh se luftimi i krimeve ekonomike nuk është në nivel të kënaqshëm, andaj synim i tyre është fuqizimi në luftimin e kësaj dukurie negative.

Spahiu: Janë iniciuar gjithsej 393 raste, derisa ka asgjësuar 7 grupe kriminale

“Janë regjistruara ose janë iniciuar gjithsej 393 raste, ndërsa në raport me këto raste të iniciuara kemi pasur gjithsej 74 persona të arrestuar, po ashtu procedimi i këtyre rasteve ka rezultuar me paraqitjen e 336 kallëzimeve penale në prokurorit përkatëse, ndërsa persona të dyshuar paraqiten në kallëzime penale janë gjithsej 549. Gjatë kësaj periudhe kohore dhe në raport me këto incidente drejtoria për krime ekonomike dhe korrupsionin ka arritur të asgjësoj ose t’i shkatërroj 7 grupe të struktura kriminale”, ka thënë Spahiu.

Për punën që Policia e Kosovës e ka bërë në luftimin e korrupsionit, Spahiu i ka përmendur rastet veç e veç që janë hetuar dhe arrestuar për korrupsion zyrtarë në ministritë e Qeverisë së Kosovës.

Spahiu: Kemi arrestuar zyrtar në MSH, MI, MBZHR

“Në Ministrinë e Shëndetësisë ku kemi pasur tetë persona të arrestuar me një dëm material që iu ka shkaktuar kësaj ministrie në vlerën mbi 1 milion e 200 mijë euro. Pastaj, kemi pasur në Ministrinë e Zhvillimit Rural ku siç e dini edhe ju në rastet e subvencioneve për bujq ka pasur keqpërdorime  dhe si rezultat i hetimeve nga drejtoria jonë kem arritur t’i arrestojmë  3 zyrtarë dhe me i faktuar në mënyrë shumë profesionale para prokurorisë përkatëse. Po ashtu, një rast tjetër e kisha veçuar është edhe rasti në ministrinë e Infrastrukturës ku hetimet kanë arritur që të argumentojnë involvimin në vepra penale 6 zyrtarëve të lartë të kësaj ministrie”, u shpreh ai.

Ndryshe, pjesëtarë të Policisë së Kosovës sot kanë shpërndarë te qytetarët edhe fletushka me moton “Zero ryshfet për të korruptuarit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat