Kështu e priti formimin e ushtrisë nipi i Adem Jasharit, këto janë fjalët e para të tij

Kosova

Kështu e priti formimin e ushtrisë nipi i Adem Jasharit, këto janë fjalët e para të tij

Më: 14 dhjetor 2018 Në ora: 14:31
Sot nuk ishte një ditë e zakonshme në zyrën kur punon Bekim Jashari, i cili drejton komunën e Skenderajt.

Sot nuk ishte një ditë e zakonshme në zyrën kur punon Bekim Jashari, i cili drejton komunën e Skenderajt.

Që prej orës 10 të mëngjesit, kur edhe filloi seanca plenare në Kuvendin e Kosovës, për votimin e ushtrisë, nipi i komandantit Adem Jashari, u pozicionua para ekranit të televizorit për të ndjekur të gjithë procesin e votimit.

Për të kjo është një ditë e veçantë, sepse siç tha ai, kjo është dita që është pritur me shekuj.

Pas votimit final në Kuvend, Bekim Jashari, nën emocione, ka folur para kamerës së kp-it, duke treguar kështu se Kosova e pavarur me ushtri ishte ëndërr e kamotshme.

Jashari: Kjo ishte ëndrra e Adem Jasharit

“Jo vetëm për mua, por besoj që për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët kudo që janë është një ditë e veçantë, ditë e madhe sepse e kemi prit me shekuj këtë ditë që të kemi ne si Kosovë ushtrinë dhe më në fund pas 20 vitesh, apo mund të them 25 vite pas themelimit të Ushtrisë Çlirimtare sot arritëm të kemi ushtrinë tamam zyrtarisht si shtet….  Kjo ishte ëndrra e axhës tim, komandantit legjendar Adem Jashari, tërë familjes dhe të gjithë atyre djem dhe vajza, ushtarëve që i rrokën armët mbi supe për ta çliruar vendin. Ëndërr e kahmotshme e të gjithë shqiptarët”, tha Jashari.

Seancën nuk e përcolli i vetëm. Bashkë me Bekim Jasharin qëndroi edhe kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe ish-luftëtar i UÇK-së, Nuredin Lushtaku.

Pas përfundimit të seancës, bashkë shkuan te varrezat e familjes Jashari në Prekaz. Aty u përkulën dhe shprehën falënderim për kontributin e dhënë nga kjo familje.

Jashari: Fqinjët të ndjehen të relaksuar me formimin e ushtrisë së Kosovës

“Të ndjehen të qetë dhe të relaksuar të gjithë fqinjët sepse kjo ushtri nuk është bërë sot as para 25 viteve UÇK-ja për me e sulmu dikë, por me i mbrojtë trojet e veta. Kështu që edhe kjo ushtri sot është për ta mbrojtë vendin e vet dhe për të mbrojtë paqen gjithandej kudo ka nevojë me ushtritë e tjera të botës”, tha Jashari.

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci tha se sot po konkretizohet ajo që e ka filluar komandanti legjendar Adem Jashari.

Lladrovci: Sot po konkretizohet ajo që e ka nisë Adem Jashari

“Për mua sot është ditë e veçantë sepse themelimin e ushtrisë nga Parlamenti I Kosovës e kam prit bashkë me nipin e Adem Jasharit, djalin e Hamzës, dhe bashkë me komandantin, gjeneral Nuredin Lushatkun, luftëtar I cili nga dita e parë deri në ditën e rënies nuk iu nda Adem Jasharit. Sot, është një gëzim i madh sepse po konkretizohet gjithë ajo që e ka nisë komandanti jonë Adem Jashari, dhe juridikisht sot në Parlamentin e Kosovës është bërë ligji për ushtrinë e Kosovës”, tha Lladrovci

Ani pse mot i ftohtë dhe me borë, ne kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz sot u panë qytetarë duke bërë homazhe pranë varrezave.

Familja Jashari dhe lufta e komandantit Adem Jashari po konsiderohet si më meritorja për formimin e ushtrisë së Kosovës.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në krye me komandantin Adem Jashari, doli për herë të parë në skenë në vitin 1997, ku vendimi për atë paraqitje ishte marrë në kullën e heroit Ilaz Kodra në Prekaz.

Para masës atë kohë kishte dalë edhe komandanti I brigadës 113, Mujë Krasniqi, i cili sot, në ditën kur u votua ushtria,  shënon 20 vjetorin e rënies heroike.

Atë kohë, shqiptarët në Kosovë kishin formuar UÇK-në si ushtri mbrojtëse. Sot, pas më shumë se dy dekada, u formua një ushtri në Kosovën Republikë, që synon të ketë jetë mbrojtëse, në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë të shtetit më të ri në Evropë.

Vëmendja nga të gjithë sot drejtohet tek vepra e Adem Jasharit dhe bashkëluftëtarëve të tij të cilët shumë vjet më parë kishin vënë themelet e një ushtrie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat