Ministri i Mbrojtjes dhe komandanti i FSK-së bën homazhe në Prekaz

Kosova

Ministri i Mbrojtjes dhe komandanti i FSK-së bën homazhe në Prekaz

Më: 15 dhjetor 2018 Në ora: 15:02
Pamje nga homazhet

Ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, së bashku me zëvendësministrat e Mbrojtjes Agim Çeku dhe Burim Ramadani së bashku me një delegacion të gjerë nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria zhvilluan homazhe në varrezat e heronjve në Prekaz.

Fillimisht, ministri i Mbrojtjes Berisha dhe delegacioni i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-ja vendosën buqeta lulesh të freskëta tek varri i Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes Jashari, si dhe vizituan të gjitha varret e të rënëve në kompleksin memorial “Adem Jashari’’ në Prekaz si dhe në Marinë të Skenderajt.

Sipas një komunikate të ministrisë, më pas, delegacioni u pritën në odën e Jasharajve nga Rifat Jashari dhe Bekim Jashari, kryetar i komunës së Skenderajt,  ku Jasharajt uruan krerët e Ministrisë së Mbrojtjes për Ushtrinë e gjithashtu edhe ministri Berisha dhe delegacioni uruan Familjen Jashari duke shprehur nderë e lavdi për Komandantin Legjendar Adem Jashari dhe  sakrificën sublime të Familjes Jashari.

Ministri Berisha dhe komandant Rama u shoqëruan edhe nga Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Shkelzen Sylaj dhe komandanti i Forcave Tokësore, gjeneral brigade Enver Cikaqi pastaj gjeneral majorët Zymer Halimi dhe Gëzim Hazrolli, gjeneral brigade Irfete Spahiu, Fadil Hadergjonaj, Naim Haziri, Gjevahir Geci, Skender Zhitia si dhe oficerë tjerë të lartë të Ushtrisë.

Ky ishte aktiviteti i parë i ministrit së Mbrojtjes dhe komandantit të Ushtrisë së Kosovës pas votimit të Projektligjeve për tranzicionin e FSK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat