Në Kosovë vazhdojnë të jetojnë në familje me shumë anëtarë

Kosova

Në Kosovë vazhdojnë të jetojnë në familje me shumë anëtarë

Më: 19 dhjetor 2018 Në ora: 18:36
Foto ilustrim

Shumë prej familjeve kosovare vazhdojnë të jetojnë në bashkallak. Në tërë vendin janë rreth 30 mijë familje që kanë mbi 10 anëtarë dhe banojnë brenda të njëjtës shtëpi. Por, nuk janë të rralla as rastet e kosovarëve që kanë zgjedhur të banojnë vetëm. Numri i këtyre të fundit shkon në më shumë se 8 mijë e 500.

Një shtëpi e vogël në thellësi të fshatit Leqinë të Komunës së Skenderajt strehon më shumë se 20 anëtarë të familjes Hoti. Të 24 anëtarët e kësaj familjeje jetojnë bashkë brenda shtëpisë dy katesh, të cilën vetëm sa e kanë futur nën kulm.

Media ka qëndruar sot në familjen Hoti, dhe ju sjell rrëfimin e familjarëve për jetën që bëjnë bashkë tash e sa vite në bashkallak.

Kryefamiljarja Azize Hoti tregon se jeta për ta nuk është e lehtë.

Deklaron se përveç se shtëpia është e vogël, ata jetesën e sigurojnë vetëm nga pensionet që marrin si veteranë dy djemtë e saj.

Shtëpia e familjes Hoti

Në mungesë të një shtëpie më të madhe, ajo tregon se e kanë problem që ta bëjnë edhe gjumin pasi që nuk i zënë dhomat. E për të ngrenë bukë thotë se duhet t’i shtrojnë tri sofra.

Por, pavarësisht kushteve jo të mira të jetesës, 77 vjeçarja thotë se as nuk u shkon ndërmend që të ndahen. Derisa shton se edhe pse ka vite që jetojnë në bashkallak nuk kanë pasur asnjëherë probleme mes vete në familje.

“I kam katër djem edhe katër vajza. Vajzat janë të martume që disa vjet, e djemtë jetojnë krejt bashkë. Asnjë anëtarë i familjes nuk punon, krejt jetesën e sigurojmë me punë bujqësore edhe me pensione të veteranëve që i marrin djemtë. Nuk na ka shku mendja me u nda, se nuk kemi probleme asnjëherë mes vete”, tregon Azizja.

Oborri i shtëpisë së familjes Hoti

Jetë të ngjashme me familjen e Azize Hotit bënte edhe familja e Murat e Xhevat Hotit nga po kjo komunë. Nga kjo familje tregojnë për Express se deri para katër viteve, ata jetonin deri në 40 anëtarë bashkë.

Por, këto nuk janë familjet e vetme që kanë kaq shumë anëtarë. Shumica e familjeve kosovare edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të jetojnë në bashkallak.

Në tërë vendin janë rreth 30 mijë familje që kanë mbi 10 anëtarë, të cilët ndajnë një shtëpi.

Gjithë kjo sipas raportit “Regjistrimi i Popullsisë për vitin 2011”, të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Rruga që të dërgon për në shtëpinë e familjes Hoti

Në bazë të këtij raporti, komuna që prin me familje me numër të madh të anëtarë është Prizreni me rreth 3 mijë e 500 familje me më shumë se 10 anëtarë, pasuar nga Podujeva me afër 2 mijë familje të tilla.

Menjëherë pas Podujevës renditet Malisheva, Gjakova, Prishtina e Ferizaj me më shumë se 1 mijë e 500 familje të tilla.

Numrin e madh të anëtarëve nëpër familje, sociologët e lidhin me gjendjen sociale dhe ekonomike.

Sociologu Besim Gollopeni ka thënë se faktorët kryesorë që ende ka familje të zgjeruara në Kosovë janë kushtet ekonomike dhe sociale dhe mentaliteti patriarkal.

“Shumica e familjeve kosovare jetojnë në bashkësi jo nga dëshira e tyre për të zhvilluar një jetë të tillë mirëpo, jeta ju ka imponuar nga kushtet e vështira socio-ekonomike dhe pamundësia e gjetjes apo e pasjes së një alternative më të mirë për jetë”, thotë Gollopeni.

Statistikat e ASK'së

Sipas Gollopenit, jeta në bashkallak ngjan një ndërmarrje “ku disa punëtorë punojnë më shumë e disa të tjerë më pak, disa pyeten pak e të tjerët nuk pyeten aspak”.

Ata/o që punojnë shumë dhe pyeten pak ose aspak janë gratë, pastaj, kujdesi ndaj fëmijëve është i mangët dhe zëri i tyre pothuaj se nuk dëgjohet në familje, pakënaqësitë në drejtime shumëdimensionale ndërmjet anëtarëve të familjes janë evidente”, deklaroi Gollopeni.

Por, nuk janë të rralla as rastet e kosovarëve që kanë zgjedhur të banojnë vetëm. Numri i këtyre të fundit shkon në më shumë se 8 mijë e 500 kosovarë, shumica e të cilëve nga Prishtina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat