Gjilanasi porosit drogë me postë të shpejtë

Kronikë e zezë

Gjilanasi porosit drogë me postë të shpejtë

Më: 19 janar 2019 Në ora: 15:46
Foto ilustrim

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se sot rreth orës 13:20 minuta, nga Departamenti i Krimeve të Rënda, është ndaluar i dyshuari B.G. (1980), në kohëzgjatje prej 48 orëve.

Sipas komunikatës së prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar që, i dyshuari B.G., nga Gjilani, përmes postës së shpejtë, ka porositur substanca narkotike, nga Gjermania.

Sipas prokurorisë i dyshuari ka porositur substancë narkotike të llojit ‘’Amfetaminë’’ (amphetamine), në peshë prej 300 gram, e cila është konfiskuar nga policia dhe dyshohet që i njëjti e ka porositur me qëllim shitjeje.

Zyrtarët policor kanë bastisur shtëpinë e të dyshuarit B.G.  nga Gjilani ndërsa i njëjti është ndalur në mbajtje për 48 orë.

“Prokuroria, menjëherë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, me ç’rast nga ana e zyrtarëve policor është bastisur shtëpia e të dyshuarit, ku aty është gjetur edhe një armë zjarri, të cilën i dyshuari e posedonte pa leje përkatëse.

Ndaj të dyshuarit është marrë aktvendim mbi ndalim, për shkak të dyshimit të veprave penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’ nga neni 273 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprës penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 374 të KPRK-së.

Gjithashtu, prokuroria brenda afatit ligjor, ndaj të dyshuarit, në gjykatën kompetente në Gjilan, do të paraqet edhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, në kohëzgjatje prej 30 ditësh, pasi që ekziston rreziku i ikjes, ndikimi te dëshmitarët, fshehjes së provave dhe rreziku i përsëritjes së veprës penale”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat