Policia e Kosovës ka identifikuar personin e dyshuar lidhur me vrasjen e sotme në Prishtinë dhe po punon për lokalizimin e vendndodhjes së tij.
“Aktualisht jemi në fazën preliminare të hetimit të rrethanave të këtij rasti dhe po ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për ndriçimin e plotë të rrethanave që e karakterizojnë këtë rast, përfshirë këtu edhe intervistimin e cilitdo person, që në një ose mënyrë tjetër mund të jetë i implikuar në rast”, thuhet në njoftimin për media.
Ndërkohë që është zgjeruar rrethi i hetimit janë kryer tri operacione të bastisjeve në lokacione të ndryshme ku dyshohet se i dyshuarit mund të jetë fshehur për t’iu shmangur arrestit policor.
Ndryshe, sot rreth orës 11:30, ka ndodhur një vrasje në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë.
Nga informacionet e para në vendin e ngjarjes dyshohet se nga arma e zjarrit është plagosur një person A.J., derisa po qarkullonte me veturën e tij. Ai nuk i ka mbijetuar plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit dhe në vend ngjarje ka ndërruar jetë.