Qëlluan me armë makinën e parkuar, shpallen në kërkim dy të rinjtë

Kronikë e zezë

Qëlluan me armë makinën e parkuar, shpallen në kërkim dy të rinjtë

Më: 12 prill 2019 Në ora: 14:11
Ilustrim

Policia e Durrësit ka identifikuar dy autorët që qëlluan në drejtim të makinës së shtetasit me inicialet A.J., 53 vjeç. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në qytetin bregdetar, ndërsa në kërkim janë shpallur shtetasit E. H., 33 vjeç dhe Sh. Gj., 21 vjeç.

Sipas burimeve zyrtare të policisë, dy të rinjtë për motive të dobëta kanë qëlluar me armë zjarri makinën e 53-vjeçarit, të cilën e kishte të parkuar në lagjen nr. 8., duke sjellë edhe dëme të dukshme materiale. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Sh. Gj., policia ka arritur të gjejë në cilësinë e provës materiale fishekë.

Njoftimi policisë:

Policia zbardh ngjarjen dhe identifikon autorët e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme në lagjen nr 17 Durrës. Shpallen në kërkim dy shtetas të dyshuar për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve kanë bërë identifikimin dhe shpalljen në kërkim të shtetasve E.H., 33 vjeç dhe Sh.Gj.,21 vjeç, banues në lagjen nr. 8 Durrës, pasi dyshohet se këta dy shtetas gjatë një konflikti me njëri-tjetrin për motive të dobëta , kanë qëlluar me armë zjarri duke i shkaktuar dëmtime mjetit në pronësi të shtetasit A.J.,53 vjeç, të cilin e kishte të parkuar aty.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Sh. Gj., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale disa fishekë. Policia vazhdon punën intensive për kapjen e personave të shpallur në kërkim si dhe gjetjen e armës së zjarrit.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat