Për 260 mijë armë pa leje në Kosovë, vetëm 781 kërkesa për legalizim

Kronikë e zezë

Për 260 mijë armë pa leje në Kosovë, vetëm 781 kërkesa për legalizim

Më: 1 maj 2019 Në ora: 10:41
Foto ilustrim

Më 15 dhjetor të vitit të kaluar, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), ka nisur një fushatë gjashtëmujore për legalizimin e armëve të vogla dhe të lehta, të cilat i posedojnë pa leje qytetarët e Kosovës.

Gjatë kësaj periudhe është pezulluar zbatimi i nenit 366 të Kodit Penal (neni 374 i Kodit të vjetër Penal), i cili, në paragrafin 1, parasheh gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose dënim me burg deri në pesë vjet për armëmbajtje pa leje.

Aty parashihet edhe dënim dy deri në dhjetë vjet burg, për posedim ilegal të katër ose më shumë armëve ose më shumë se 400 fishekëve.

Por, kur kanë mbetur edhe një muaj e gjysmë deri në fund të kësaj fushate, sipas zyrtarit për komunikim me media në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Behar Haziraj, për legalizim të armëve kanë aplikuar 781 persona, ndërsa 374 prej tyre kanë marrë pëlqimin nga kjo ministri.Bazuar në të dhënat e MPB-së, numri i armëve ilegale në posedim të qytetarëve llogaritet të jetë rreth 260 mijë sosh.

Në një llogaritje të thjeshtë, përqindja e kërkesave për legalizim, në raport me numrin e përgjithshëm të armëve në posedim pa leje, është vetëm 0.3 për qind.Duke u lidhur me shifrat e ulëta të interesimit për legalizim të armëve, eksperti i sigurisë, Avni Islami, e vlerëson si të dështuar këtë fushatë. Sipas tij, një nga faktorët kryesor është mosinformimi i mjaftueshëm i qytetarëve lidhur me fushatën dhe procedurat.

“E kam theksuar dhe po e ritheksoj, se ky proces ka dështuar, jo për shkak të qytetarëve, por e kam ndarë në dy pjesë. Përgjegjëse janë institucionet shtetërore të Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe të gjithë sponsorizuesit (e fushatës), të cilët kanë menduar se është bërë vetëdijesimi i qytetarëve. E që në fakt, mendoj se vetëdijesimi i qytetarëve ose informimi me kohë, i saktë dhe bindës në raport me qytetarët nuk është kryer si duhet. E them me përgjegjësi, zëri i institucioneve të Kosovës për armët, për legalizimin e tyre dhe atyre që duhet të dorëzohen nuk ka ardhur deri në veshin e qytetarëve”, vlerëson Islami.

Ai thotë se qytetarët nuk janë informuar si duhet as për llojet e armëve të cilat mund të legalizohen, e cilat vetëm mund të dorëzohen.

Faktor tjetër që ka ndikuar në interesimin e ulët të qytetarëve, sipas Islamit, është edhe kostoja për legalizim të një arme, të cilën ai e vlerëson të lartë në raport me gjendjen ekonomike-sociale në Kosovë.

“Kostoja e lartë, do të thotë, një armë që të legalizohet e ka koston e vetë, për shembull 300 euro certifikimi, certifikata e mjekut, shpenzimet e tjera. Do të thotë për një armë, që të legalizohet arrihen shifra mbi 500 euro, ndoshta edhe më tepër. Duke e marrë parasysh gjendjen e rëndë ekonomike e sociale, nuk po flas në emër të qytetarëve, por mendoj se secili qytetarë që mendon ta dorëzojë (armën), me një shumë të caktuar prej 500 apo 600 eurosh është e mundur që të kryejë shumë punë të tjera dhe kësisoj i fshehin armën dhe nuk e dorëzon”.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), vlerësojnë Kodi Penal parasheh dënime të ashpra për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të armëve pa leje, por problem, sipas tyre, është “zbatimi i politikave të buta ndëshkimore nga gjykatat” lidhur me këto raste.

Duke u bazuar në monitorimin e rasteve të këtij lloji, drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, thotë se gjykatat, në të shumtën e rasteve japin gjoba të ulëta dhe dënime me kusht.

“Me vetë faktin që Kodi Penal ka paraparë deri në dhjetë vjet burgim për këta persona që bien në kundërshtim me ligjin, dhe në praktikë kjo, pothuajse, nuk ka ndodhur asnjëherë, atëherë e dëshmon atë që qytetarët nuk kanë nevojë, sipas kësaj praktike, t’i legalizojnë armët, pasi që dënimet qesharake – shumë të ulëta – nuk e kanë mbërritur efektin e asaj që e ka përcaktuar ligjvënësi. Kështu që nuk mund të pritet një ndryshim nëse nuk ndryshon praktika, nëse nuk ndryshon logjika e gjykatave që rastet kur qytetarët përdorin ose zotërojnë armë pa leje, t’i dënojnë në bazë të ligjit me dënime të ashpra, siç e përcakton Kodi Penal në fuqi”, vlerëson Miftaraj.

Sipas Miftarajt, e vetmja mënyrë që qytetarët të vetëdijesohen për legalizim të armëve, është duke zbatuar masa të ashpra ndëshkimore.

“Si Institut i Kosovës për Drejtësi vlerësojmë që mënyra më e mirë për të pasur sukses iniciativa të tilla, do të ishte sikur të kishim një gjyqësor i cili i ushtron kompetencat, i ushtron përgjegjësit e tyre në bazë të ligjit. Me vetë faktin që qytetarët e dinë që nesër do të zihen me një armë pa leje, do të marrin një dënim me gjobë i cili mund të jetë 200-300 euro, apo ndoshta 500 euro, e shumë rrallë dënim me kusht, atëherë në një mënyrë shteti po i motivon të njëjtit që të vazhdojnë me të njëjtën logjikë. Sikur qytetarët ta kuptonin, se nëse zihen me armë pa leje dhe do të merrnin dënime që shkojnë me vite burgim, sigurisht që do të kishte tjetër efekt dhe do të kishin mendësi tjetër. Me logjikën që ne do t’i dënojmë qytetarët që mbajnë armë pa leje me gjoba dhe me kusht, sigurisht që qytetarët do të vazhdojnë me të vjetrën”.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, numri i përgjithshëm i armëve legale në posedim të qytetarëve, është afër 50 mijë.Në një deklaratë për Radion Europa e Lirë, muaj më parë, drejtori i Divizionit për Armë, në MPB, Destan Mustafa, ka treguar procedurat nëpër të cilat duhet të kalojë një armë për t’u futur në kuadër të ligjit.

Ai thotë se qytetarët që duan të marrin leje për armën e tyre, e cila i plotëson kriteret për legalizim, duhet që me letërnjoftim, një dokument të gjykatës që dëshmon se nuk është nën hetime, një vërtetim nga Policia për të kaluarën, si dhe një dokument për gjendjen shëndetësore, të lajmërohen në stacionin më të afër policor dhe të paraqesin një kërkesë për legalizim të armës.

Pas kësaj, sipas tij, zyrtarët përgjegjës i japin qytetarëve një formular për të dhënat personale dhe ato të armës për legalizim, e pastaj një librezë e cila i mundëson qytetarit të transportojë armën e tij deri në kompaninë e licencuar, e cila duhet kontrollojë dhe paraqesë gjendjen teknike të armës, e më pas brenda dy ditësh të përcjellë një raport në MPB.Tutje, brenda një periudhe prej 30 ditësh, qytetarit i jepet pëlqimi për armëmbajtje në shtëpi.

Ndërsa ai ose ajo obligohet që brenda një viti të kryejë trajnimin për përdorim të sigurt dhe mirëmbajtje të armës.Pas ofrimit të dëshmive mbi gjendjen ligjore dhe të drejtën e veprimit ligjor, aplikuesi pajiset me leje për posedim të armës – me arsyetim të përdorimit për rekreacion, shenjëtari ose gjueti, varësisht nga lloji i armës. Siç shkruan REL, kostoja totale për legalizim, përfshirë kontrollet shëndetësore, vërtetimet, trajnimin dhe lejen, sipas Mustafës, arrin vlerën e rreth 300 eurove.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat