Zbulohet pse u vra 59-vjeçari në Viti

Kronikë e zezë

Zbulohet pse u vra 59-vjeçari në Viti

Më: 2 maj 2019 Në ora: 16:12
Foto ilustrim

(E plotësuar) - Burri 59 vjeç nga fshati Sadovinë e Vitisë vdiq si pasojë e plagëve të rënda që mori pas një mosmarrëveshje për tokë nga kusherinjtë e tij. Vrasja ndodhi mëngjesin e sotëm.

Një burim i medias tha se viktima u rrah për vdekje me drunj dhe mjete të forta nga kusherinjtë për shkak të mosmarrëveshjes për mezhdë, apo siç njihet në popull ky term “mexhë”.

Katër personat e dyshuar tashmë ndodhen në prangat e Policisë së Kosovës.

Këtë rast e ka konfirmuar edhe policia.

“Mund ta konfirmoj se një person ka vdekur si pasojë e lëndimeve trupore të marra gjatë rrahjes. Dyshimet e para janë se rasti ka ndodhur për motive pronësore”, ka thënë Ismet Hashani nga PK.

Ai ka bërë të ditur se janë arrestuar katër persona.

Ndryshe, të premtën për pronë ka vdekur edhe M.N nga Rugova. I dyshuari kryesor i kësaj vrasjeje është vëllai i tij. 50 vjeçari ka marrë lëndime vdekjeprurëse nga sëpata.

Për katër muaj në Kosovë janë vrarë 13 persona. Motivet e këtyre vrasjeve lirisht mund të cilësohen banale. Mosmarrëveshje në familje, probleme me trashëgiminë e pronës, gjakmarrje, vjedhje, etj, janë disa nga motivet që i futën nën dhe nëntë burra dhe tri gra brenda kësaj periudhe të shkurtër kohore.

***

Komunikata e Prokurorisë:

Prokuroria Themelore në Gjilan,  njofton se sot rreth orës 09:30 minuta,  në fshatin Sadovinë e Qerkezve, komuna Viti, si pasojë e një rrahje mes dy familjeve, në të cilën janë përdorur mjete të forta, një person është privuar nga jeta, ndërsa disa të tjerë kanë pësuar lëndime trupore.

Me të njoftuar me rastin, në vendin e ngjarjes kanë dalë Njësia e Hetimeve Regjionale, të Policisë së Kosovës, si dhe prokurori kujdestar, të cilët kanë vëzhguar vendin e ngjarjes, ku prokurori i shtetit ka kërkuar që trupi i pajetë i viktimës, të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë.

Për këtë rast, janë arrestuar 5  persona, të dyshuarit B.I. dhe F.I., për shkak të dyshimit të veprës penale ‘’Vrasje’’, ndërsa të dyshuarit I.I., I.I. dhe S.I., për shkak të veprës penale ‘’Pjesëmarrje në rrahje’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku për të njëjtit është lëshuar aktvendim mbi ndalim, në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Viktima M.I. (1960), është i afërm i të dyshuarve – kushëri i tyre, me ç’rast dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një mosmarrëveshje rreth një kontesti pronësor.

Prokuroria Themelore në Gjilan, brenda afatit ligjor ndaj të dyshuarve do të ndërmerrë të gjitha veprimet e tjera hetimore.

***

Mëngjesin e sotëm në fshatin Sadovinë e Vitisë ka ndodhur një përleshje e cila dyshohet të ketë qenë për motive pronësore, si pasojë e kësaj një person i moshës 59-vjeçare ka ndërruar jetë

Rastin e ka konfirmuar Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani

“Mund ta konfirmoj se një person ka vdekur si pasojë e lëndimeve trupore të marra gjatë rrahjes. Dyshimet e para janë se rasti ka ndodhur për motive pronësore”, ka thënë Hashani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat