Kush është rahovecasi që shkoi në Mal të Zi për të kryer vrasje me pagesë

Kronikë e zezë

Kush është rahovecasi që shkoi në Mal të Zi për të kryer vrasje me pagesë

Më: 6 maj 2019 Në ora: 17:39
Foto ilustrim

Lufta në mes dy klaneve më të mëdha kriminale në Mal të Zi ka përfshirë edhe një kosovar nga Rahoveci. Po dyshohet se 30 – vjeçari kosovar ka shkuar në Budva të vrasë liderin e njërës bandë kriminale, derisa atje u arrestua. Bajram Pista, edhe në Kosovë ka të kaluar të majme kriminale, madje, ai sapo është dënuar nga Gjykata për vjedhje të rëndë.

Dy klanet më të mëdha në Mal të Zi, Skaralji dhe Kavaç , kanë nisur luftën mes vete vitin e kaluar. Veç vjet, këto klane i vranë njëri-tjetrit dhjetëra njerëz.

Kësaj lufte iu është bashkuar edhe një nga Kosova, 30-vjeçari, Bajram Pista nga Rahoveci.

Dyshohet se Pista ka shkuar në Budva të kryej një vrasje me pagesë, e siç raportohet nga mediat malazeze, target e kishte njërin prej liderëve të njërës nga bandat.

Megjithatë, në Budva arriti të kapet nga autoritetet dhe t’i konfiskohen mjetet e “punës”.

Policia në Mal të Zi, Pistës ia gjetën një pistoletë automatike me një silenciator të montuar, të llojit “Glock 17”, 109 plumba për pistoletë, një sasi të vogël të heroinës dhe dy telefona celularë, njëri prej tyre i koduar.

Sipas hetuesve, fakti që arma që e posedonte Pista ishte e mbushur dhe e montuar me silenciator, e justifikon dyshimin se kosovari ka shkuar në Budva të vrasë dikë.

Kur u pyet nga policia në Budva për arsyen e shkuarjes atje, Pista kishte thënë se ka shkuar për të blerë armë dhe më pas ato t’i shesë në Kosovë, por autoritetet atje dyshojnë se Bajram Pista ka udhëtuar në Mal të Zi për ta likuiduar dikë.

Bajram Pista, gjithashtu, deri tani dihet se në Budva ka qëndruar në një apartament me qira, por policia ende nuk po munden ta gjejnë pronarin e atij apartamenti, ku ka qëndruar 30-vjeçari.

Pas arrestimit, Bajram Pistës iu caktuan 30 ditë paraburgim dhe ai u dërgua në Qendrën e Paraburgimit në Spuza.

Por, para dy javëve në Kosovë, Bajram Pista u dënua me 1 vit burg efektiv, për vjedhje të rëndë. Ai, e kishte pranuar fajësinë për veprën penale.

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, e ka shpallë aktgjykimin ndaj Bajram Pistës, dhe ia llogariti kohën e kaluar në paraburgim prej 20 marsit 2019 deri më 19 prill 2019.

Por, Pista diti t’i shfrytëzojë mirë rrugët ligjore që ia jep Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, pasi për dënimin e tij 1 vjeçar nuk u dërgua menjëherë në burg, sepse sipas KPP’së, në burg menjëherë dërgohen personat që dënohen me më shumë se 5 vjet.

Gazeta Express ka kërkuar të dijë nga Policia e Kosovës për të kaluarën kriminale të Bajram Pistës në Kosovë, për të cilin burimet thanë se ka kryer vjedhje edhe në disa shtete të huaja dhe disa herë është dëbuar nga ato.

Policia e Kosovës thanë se për arrestimin e tij në Budva që ndodhi të premten e javës së kaluar, kanë bashkëpunuar dhe shkëmbyer informacione me policinë e Malit të Zi.

“Në lidhje me kërkesën tuaj, ju njoftojmë se, Policia e Kosovës në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor, për këtë rast ka bashkëpunuar dhe shkëmbyer informacione, me Policinë e Malit të Zi”, kanë thënë në përgjigjen zyrtare nga Policia e Kosovës për Gazetën Express.

Ndaj Bajram Pistës, Prokuroria Themelore e Gjakovës, ka ngritur aktakuzë më datën 11 prill të 2019, duke e ngarkuar me veprën penale “vjedhje e rëndë”.

Ai akuzohej se më 7 shkurt 2019, rreth orës 19:30, në Rahovec në rrugën “Sadedin Hajda”, me qëllim që vetit apo tjetrit t’i sjellë përfitime të kundërligjshme merr pasurinë e të dëmtuarit A.Z.

Në aktakuzë thuhet i akuzuari në ditën kritike hap derën kryesore të shtëpisë duke hequr një xham, depërton brenda dhe aty vjedh një orë dore në vlerë 250 euro, një telefon të tipit “Iphone 5S”, në vlerë 350, një laptop me vlerë 400 euro, një varëse të arit në vlerë 200 euro, një “Sony Playstation”, në vlerë 200 euro dhe një “burmashinë”, dhe largohet në drejtim të panjohur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat