Italia kërkon ekstradimin e Ilir Bajrit: Shfrytëzoi 11 prostituta

Kronikë e zezë

Italia kërkon ekstradimin e Ilir Bajrit: Shfrytëzoi 11 prostituta

Më: 11 maj 2019 Në ora: 09:53
Ilir Bajri

Ilir Bajri është dënuar nga gjykata e apelit të Bolonjas me 10 dhjetor të 2010-s me 5 vite e gjysmë burg si pjesëtar në organizatë kriminale me qëllim trafikim të qenieve njerëzore

Autoritetet italiane i kanë kërkuar atyre shqiptare ekstradimin e Ilir Bajrit, i arrestuar në Shkodër në shtator të vitit 2018. Arrestimi i tij është bërë gjatë operacionit “Oaz” si pjesë e grupit të strukturuar kriminal “Bajri”. Mësohet se më 20 shkurt 2019 ministria e drejtësisë e Italisë i ka dërguar shkresë Ministrisë së Drejtësisë në Shqipëri duke kërkuar ekstradimin e Ilir Bajrit, për shkak të një dënimi që ka marrë atje me 5.6 vite burg. Për këtë kërkesë italianët kanë marrë një përgjigje zyrtare më 4 mars të këtij viti. Më 24 prill në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër u zhvillua një seancë për njohje të kërkesës së Italisë nga gjykata dhe lejimin për ekstradim të Ilir Bajrit drejt Italisë. Organi i akuzës kërkoi “arrest me burg” për Ilir Bajrin ndërsa ky i fundit kishte edhe një masë tjetër sigurimi “arrest me burg” si i dyshuar në grupin “Bajri”.

Akuzat në Itali

Materiali i sjellë nga ministria italiane e drejtësisë përmban 132 faqe. Rezulton se Ilir Bajri është dënuar nga gjykata e apelit të Bolonjas me 10 dhjetor të 2010-s me 5 vite e gjysmë burg si pjesëtar në organizatë kriminale me qëllim trafikim të qenieve njerëzore. Mbi të rëndonin akuzat “shfrytëzim prostitucioni”, “emigracion klandenstin” dhe “falsifikim dokumentesh”. Ky grup kriminal sipas drejtësisë italiane ka vepruar që nga korriku i vitit 2000 deri në gusht të vitit 2002 në Ravenna. Pjesë e këtij grupi është edhe Enver Bajri, i cili është i dënuar me 4 vite burg dhe Bardh Bajri, të dy pjesë e familjes Bajri. Përveç tyre në grupin prej 7 personash janë edhe Elvis Baroti, Fatmir Tafazi, Gëzim Çerkeku dhe Jetmir Topi. Anëtarët e këtij grupi të drejtuar nga Enver dhe Ilir Bajri sipas vendimit të gjykatës së Bolonjas kanë shfrytëzuar për prostitucion të paktën 11 gra dhe vajza, të cilat rezultojnë me emra dhe dëshmi gjatë hetimeve në këtë dosje. Grupi i drejtuar nga Enver dhe Ilir Bajri iu falsifikonin pasaportat grave dhe vajzave nga Shkodra por edhe qytete të tjera dhe më pas i detyronin ato të dilnin në rrugë. Në dosjen e sjellë nga Italia rezulton se shtetasi Enver Bajri, si promovues i kësaj organizate kriminale detyronte me kërcënime dhe rrahje vajzat që të prostituonin duke i dhënë atyre dokumente false. Të ardhurat e përfituara nga kjo veprimtari dërgoheshin në Shqipëri përmes personave që bënin korrierin si Fatmir Tafazi.

Roli i Ilir Bajrit

Në disa raste shtetasi Ilir Bajri iu gjente hotel dhe iu tregonte vajzave zonat ku do të prostituonin dhe porosiste dokumente false për ato. Paratë e përfituara i shkonin kushërinjve dhe dëshmitar për këtë sipas hetimeve është një shtetas Italian, klient i prostitutave të grupit të drejtuar nga Enver Bajri. Në vitin 2001 njëra nga vajzat që shfrytëzohej u kthye në Shqipëri pasi kishte marrë vesh për arrestimin e Enver Bajrit, por sapo ky i fundit u lirua nga drejtësia italiane kërcënoi nënën e vajzës duke e detyruar vajzën të rikthehej në Itali ku vijoi të shfrytëzohet. Ndërkohë, kujtojmë që Ilir Bajri është vënë në pranga gjatë operacionit “Oaz”, i cili u finalizua në shtator 2018 me 11 persona të arrestuar e dy të tjerë të shpallur në kërkim, pas një hetimi intensiv që zgjati rreth 6 muaj. Mes të arrestuarve ishte edhe Safet Bajri, i konsideruar mes njerëzve kryesorë të grupit dhe i vëllai Ilir Rustemi, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër, gjithashtu me të njëjtin rol. Në kërkim për grupin “Bajri” u shpallën edhe Enver Bajri, drejtuesi kryesor i grupit, ndërsa personi i dytë dyshohet si një nga personat që përdorej për të vënë gjoba. Një tjetër personazh kyç në këtë grup është edhe Behar Bajri, i arrestuar në Roterdam, pasi ishte larguar prej më shumë se një jave më parë nga Shqipëria. Informacioni për të u është përcjellë autoriteteve të huaja dhe në bashkëpunim me partnerët përfundoi në pranga. “Është provuar në javët e fundit se anëtarët e këtij grupi kriminal kanë kanosur dhe shtrënguar disa shtetas për dhënie shumash të konsiderueshme parash. Ky grup është i dyshuar dhe po hetohet intensivisht për disa nga ngjarjet e fundit të ndodhura në Shkodër”, theksoi policia atë kohë.

Akuzat

Grupi “Bajri” akuzohet për trafik ndërkombëtar droge, armëmbajtje pa leje, vrasje të mbetura në tentativë dhe shumë veprimtari të tjera të paligjshme. Kujtojmë se në kuadër të operacionit “Oazi” u arrestuan 9 persona, ndërkohë dy janë shpallur në kërkim. Aksioni i përbashkët i policisë dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda që u zhvillua pas muajsh të tërë hetimesh, u shtri në Tiranë e Shkodër, por edhe jashtë kufijve në Roterdam dhe Holandë.

Trafik i qenieve njerëzore, arrestohet një polic dhe 4 të tjerë

Një punonjës policie është vënë në pranga nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në Policinë e Shtetit. Po ashtu, në pranga janë vënë edhe katër shtetas të tjerë, pasi dyshohen se së bashku kanë ndihmuar 19 shtetas të huaj për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Pas një hetimi me metoda speciale, SHÇBA finalizoi goditjen ndaj këtij grupi, në hyrje të qytetit të Pogradecit rreth orës 23:50, të datës 9 maj 2019. Shërbimet ndaluan 19 shtetas të huaj, me shtetësi kurdë dhe sirianë, të cilët po transportoheshin drejt Tiranës me mjete që drejtoheshin nga shtetasit shqiptarë E. A., dhe T. H. Shtetasit e huaj kanë hyrë nga kufiri i gjelbër në zonën e Devollit dhe në afërsi të fshatit Trestenik janë marrë me makina nga shtetasit E. A., dhe T.H. Punonjësi i Policisë, J. Z., (trup shërbimi në Komisariatin e Elbasanit) dyshohet se kishte rolin e kontrolluesit të rrugës. Shtetasit M. A., dhe K. M., ishin shoqërues. Në këtë aksion të SHÇBA-së u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 automjete, aparate celularë dhe 120.000 lekë. Mbi shtetasit e arrestuar është ngritur akuza për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit, kryer në bashkëpunim”. Gjithashtu SHÇBA po vijon ndjekjen penale në gjendje të lirë për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, për Shefin e Stacionit dhe 2 punonjës të Patrullës të Kontrollit të Kufirit të gjelbër, për mos-përmbushje të detyrës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat