“Far-West” në Vlorë, në shënjestër djali i biznesmenit

Kronikë e zezë

“Far-West” në Vlorë, në shënjestër djali i biznesmenit

Më: 11 maj 2019 Në ora: 09:55
Inez Hajrulla

Një përplasje me armë ka ndodhur mes dy grupeve dje në qytetin bregdetar. Dy automjete në ecje kanë shkëmbyer zjarr mes tyre me breshëri. Ngjarja ndodhi në mes të qytetit, i plagosuri rrëfen ngjarjen

Breshëritë e armëve kanë nisur sërish të terrorizojnë qytetin bregdetar të Vlorës. Një përplasje ka ndodhur dje në zonën më të populluar të qytetit, në Lungomare, ndërsa i plagosur ka mbetur një person. Sipas informacioneve të policisë, ai është dërguar në spital me një plagë në këmbë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00 të paradites, ndërsa zona ka qenë mjaft e populluar dhe qytetarët janë tmerruar nga të shtënat e armëve. Sipas informacioneve paraprake, mësohet se dy automjete kanë qenë të parkuara pranë njëra-tjetrës dhe palët fillimisht janë konfliktuar verbalisht dhe më pas situata ka degjeneruar në përleshje me armë. Ndërkohë, në fshatin Babicë e Vogël, që ndodhet 5 km larg qytetit të Vlorës, policia gjeti një automjet të përfshirë nga flakët. Policia e Vlorës së bashku me FNSH dhe Delta Force ka mbërritur në zonën ku u gjet automjeti i djegur, duke krehur zonën për gjetjen e autorëve të ngjarjes.

Dëshmitarët

Ndërkohë, krahas versionit të uniformave blu, dëshmitarët shprehen se disa persona nga dy automjete në ecje kanë shkëmbyer zjarr mes tyre me breshëri. Makinat kanë lëvizur paralel në rrugë, ndërsa në një moment automjetet janë ndalur para një lokali në Lungomare. Aty kanë qëlluar sërish me breshëri automatiku, ku disa persona kanë dalë edhe jashtë makinës duke iu afruar kundërshtarëve. Personi që mbeti i plagosur është Dajko Cenodemaj. Ai mori një plumb në këmbë dhe është jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa shënjestër e atentatit dyshohet të jetë identifikuar nga policia Inez Hajrulla, i cili është me precedentë të mëparshëm penal. Hajrulla dy vite më parë i shpëtoi për mrekulli një atentati me eksploziv, të cilën ia kishin vendosur në makinë. Si pasojë, në atë ngjarje ai humbi të dyja këmbët. Sakaq, ngjarja e djeshme ka ngjallur panik edhe tek personat e ulur në lokal, të cilët në momentin e breshërisë janë ulur poshtë tavolinave dhe janë futur me shpejtësi brenda. Kujtojmë se lokali ku ndodhi ngjarja e djeshme frekuentohej shpesh nga i ndjeri Edison Harizaj, i vrarë në nëntor 2018 në një atentat në Durrës. Autorët janë larguar me automjetet përkatëse dhe kanë marrë drejtimin mes rrugicave në blloqet e pallateve që ndodhen në zonë. Pas ngjarjes, policia ka gjetur të djegur një automjet në zonën e Babicës, në periferi të qytetit bregdetar, që dyshohet të jetë njëri grup të autorëve të atentatit. Makina është një “Land Rover” i zi, që rezulton të jetë me targa të vjedhura, ndërsa brenda saj u gjetën dy armë automatike. Menjëherë pas ngjarjes, policia ka nisur kontrollet për kapjen e autorëve në kodrat e Babicës dhe Bonavisë, ndërsa në ngjarje dyshohet se janë përfshirë tre persona.

I plagosuri

Personi që mbeti i plagosur me plumb në këmbë momentin që nga dy makina qëllohej me breshëri automatiku, është Dajko Cenodemaj. Ky i fundit mësohet se po pinte kafe me shokët e tij në lokalit pranë vendit të ngjarjes. Ai ka marrë mjekim në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në një prononcim për median, ai tregoi dje atë se çfarë pa me sytë e tij. “Po pija kafe me tre shokë. Dëgjuam të shtënat përballë nesh. Ne thamë se ishin fishekzjarrë, kur e pamë që ishin armë, qëlloheshin nga të dyja krahët. Edhe nga fuoristrada, edhe ata të tjerët, pastaj po vinin edhe në këmbë disa djem. U futëm të gjithë brenda. Kur u futëm brenda pash gjakun që po më rridhte nga këmbët, aty shoh që kisha marrë plumb në këmbë. Më mori një shokë me makinë me solli në spital”, shprehet Dajko Cenodemaj. Në shëtitoren mjaft të frekuentuar nga qytetarët e Vlorës, është përhapur panik, ndërsa mësohet se kanë qenë vetë banorët që kanë njoftuar të parët Policinë e Vlorës pasi kanë dëgjuar të shtënat me armë. Ndërkohë, policia mësohet të ketë sekuestruar pamjet filmike të kamerave që sigurisë që ndodhen në bizneset pranë vendit të ngjarjes. Ato do të bëjnë të mundur edhe identifikimin e personave të përfshirë në këtë “Far-Ëest”.

Kush është shënjestra e atentatit

Pas përplasjes së ditës së djeshme në qytetin e Vlorës, është zbuluar edhe personi që ka qenë shënjestër e breshërisë së kallashnikovit. Sipas informacioneve të policisë, mësohet se shënjestër ka qenë 27-vjeçari Inez Hajrulla. Ky i fundit dyshohet si i përfshirë në një grup të strukturuar kriminal. Në vitin 2017, atij i është bërë atentat me eksploziv, ku ka humbur të dyja këmbët. “Ore të vijë njëri të më çojë në spital”, ishin fjalët e tij pasi i shpërtheu tritoli në makinë. Dje, pas dy vitesh ai është vënë sërish shënjestër e një atentati. Dyshohet se shkak është prishja e pazareve të drogës, që sot solli plagosjen e një kalimtari, por mund të rezultonte fatale. 27-vjeçari njihet si person me precedentë të theksuar kriminal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat