Për katër muaj tetë persona u vetëvranë, 45 të tjerë tentuan të mbysin vetën

Kronikë e zezë

Për katër muaj tetë persona u vetëvranë, 45 të tjerë tentuan të mbysin vetën

Më: 12 maj 2019 Në ora: 17:41
Foto ilustrim

Javën që lamë pas, dy të rinj vendosën t’i japin fund jetës së tyre në mënyrë tragjike. Një 25-vjeçare nga Prizreni u hodh nga ballkoni, duke marrë kështu plagë të rënda të cilave nuk mundi t’u bënte ballë. E një 32-vjeçar nga Malisheva zgjodhi që jetën ta përfundojë me një plumb në kokë. Këto dy raste çojnë në 8 numrin e personave të vetëvrarë që nga fillimi i këtij viti në Kosovë.

25-vjeçarja D. U. (emër i njohur për redaksinë) nga Prizreni, mbrëmjen e gjashtë majit u hodh nga ballkoni i shtëpisë së saj, duke tentuar të bëjë vetëvrasje. Ajo nuk vdiq në vend, por u dërgua në emergjencën e spitalit të Prizrenit për trajtim mjekësor. Nga plagët e rënda që kishte marrë, D.U. ndërroi jetë në spital.

Prokuroria e Prizrenit ka hapur hetimet për këtë rast, të cilin po e cilësojnë si vdekje e dyshimtë, ndërkaq ata për express kanë thënë se kjo nuk ishte hera e parë që D.U. kishte tentuar të vetëvritej.

“Jemi duke i siguruar informacionet, dyshohet se ka kërcyer prej ballkonit. Dyshohet se edhe një apo dy herë të tjera ka tentuar të bëjë vetëvrasje, por nuk ka arritur, kësaj radhe ka përfunduar me fatalitet”, ka thënë Admir Shala, Kryeprokuror në Prokurorinë e Prizrenit.

Ndërkaq policia e Prizrenit ishte njoftuar fillimisht nga emergjenca e spitalit të Prizrenit, se aty ishte e shtrirë një vajzë me lëndime të rënda trupore. E më të arritur në spital, policia thotë se ishin njoftuar se tashmë ajo kishte ndërruar jetë.

“Me datën 6 në mbrëmje rreth orës 19:47 policia ka pranuar një informacion nga emergjenca e spitalit në Prizren se kanë pranuar një vajzë me lëndime të rënda trupore, e cila është në rrezik për jetë. Policia ka arritur në emergjencë dhe rreth orës 20:02 mjekët nga emergjenca kanë informuar policinë se ka ndërruar jetë. Viktima është femër, e vitit 1994”, ka thënë për Express zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj.

Pas obduksionit, trupi i pajetë i viktimës i është dorëzuar familjes për të kryer ceremonitë e varrimit.

Ndërkaq D.U. nuk është e vetmja që gjatë kësaj jave vendosi t’i japë fund jetës së saj. Një 32-vjeçar nga Malisheva kishte bërë vetëvrasje duke e goditur vetën me armë zjarri.

Bëhet fjalë për të ndjerin S.Z, i cili është gjetur në afërsi të shtëpisë nga babai i tij.

“Nga ana e policisë, Prokuroria ka pranuar informatën se në fshatin Senikë, Komuna e Malishevës, është gjetur një trup i pajetë, ku i ndjeri S.Z., 32 vjeç, dyshohet se ka kryer vetëvrasje me armë zjarri, dhe i njëjti është gjetur në afërsi të shtëpisë nga babai i tij”, ka njoftuar Prokuroria.

Prokurori i Shtetit ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe me urdhër të tij, trupi i pajetë, është dërguar për autopsi, në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

E këto nuk janë rastet e vetme të vetëvrasjes në vend që nga fillimi i vitit 2019 e deri më tani.

Në statistikat që media ka siguruar nga Policia e Kosovës thuhet se 8 persona kanë bërë vetëvrasje që nga janari i këtij viti e deri më tani

“Nga janari e deri më tani kanë ndodhur 8 vetëvrasje dhe 45 vetëvrasje ne tentativë”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Përgjatë vitit 2018, 37 persona kanë bërë vetëvrasje, derisa 164 të tjerë kanë tentuar të vetëvriten, sipas statistikave të KP’së.

Ndërkaq në muajin mars, një 13-vjeçar nga Ferizaj kishte vrarë vetën duke u varur në litar, në plemen e shtëpisë.

Ngjarje kjo e cila kishte tronditur familjen dhe shoqërinë e tij, pasi të gjithë kishin thënë se A.A. ishte një fëmijë i qetë dhe nuk kishte probleme me askënd.

Madje, familjarët kishin treguar se si dy orë para se të vetëvritej, ai kishe qenë duke luajtur me biçikletë me bashkëmoshatarët e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat