Vetura në vijë të plotë e aksidentoi dhe i vdes fëmija në bark, shoferi lirohet menjëher

Kronikë e zezë

Vetura në vijë të plotë e aksidentoi dhe i vdes fëmija në bark, shoferi lirohet menjëher

Më: 6 qershor 2019 Në ora: 18:14
Ilustrim

Një aksident i rëndë që ndodhi mëngjesin e 29 majit në magjistralen Podujevë-Prishtinë, saktësisht në fshatin Vranidoll doli të jetë me shumë dhimbje për familjen Humolli nga Lupçi i Poshtëm.

Përderisa Merita Humolli po ngiste veturën ‘Citroen-Pikap’ në këtë magjistrale, vozitësi i veturës ‘Mercedes’ bën tejkalim në vijë të plotë me një shpejtësi marramendëse.

Si pasojë e kësaj shpejtësie që thuhet të jetë mbi 100km/h u godit rëndë Merita. Por përpos lëndimeve trupore që mori ajo, e njëjta humbi edhe foshnjën që po priste e që tashmë kishte mbushur shtatë muaj.

Lidhur me këtë ngjarje ka folur edhe bashkëshorti i Meritës, Bujar Humolli. I njëjti ka treguar se Merita po udhëtonte nga shtëpia për në Prishtinë, por që rruga iu preh në momentin kur vetura u përplas me të dhe e njëjta humbi vetëdijen.

“Bashkëshortja ka qenë duke vozitur veç vetë, në rrugën Podujevë-Prishtinë, në fshatin Vranidoll ka ndodhë aksidenti në mëngjes në ora 08:42 minuta, kjo u kon tu shku në rrugën e vetë ku një Mercedes u kon në tejkalim në vijë të plotë edhe e ka rrok ballë për ballë. Boll është mundu bashkëshortja me ik, po e ka rrok. Si pasojë e këtij aksidenti fëmija ka humbur jetën, gruaja është goxha e lënduar ka thymje dhe i ka pas dy operacione, tash po presim. Lëndimet i ka në gjoks, në këmbë po edhe në pjesë tjera nga pak. Këmbën e ka të thyeme sipas disa fotografive. Në muajin e shtatë të shtatzënisë. Sipas mjekëve foshnja ka ndrru jetë pas një tri katër orëve ose dy orë saktësisht nuk po muj e di, ka pas operacion e unë shpresoj që organet e rendit e të drejtësisë”, ka thënë Bujar Humolli.

I pikëlluar për humbjen e vajzës që po prisnin dhe në pritje të përmirësimit të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes, Bujar Humolli thotë se vazhdon të besojë se organet e drejtësisë do të bëjnë punën e tyre edhe pse atij iu është bërë e ditur se personi që shkaktoi aksidentin ndodhet në shtëpi.

“Organet e drejtësisë janë duke u marrë me rastin, faleminderit prej policisë. Ai personi kam informata nga disa familjarë të tij që për momentin është në shtëpi. Pra dje ishte aty. Është liru. Unë shpresoj dhe besoj tek drejtësia e policia jonë. Në fakt më kanë thirr policia po u kam kërku atyre që disa ditë të më lejojnë pak pasi bashkëshortja ime nuk e ka gjendjen e mirë derisa të mjekohet. Varrimin e foshnjës e kemi bë dje, vështirë ish po çka me bë. Kam dy djem ndërsa foshnja të cilën prisnim ishte vajzë. Gruaja është nis për në Prishtinë na jetojmë në Lupç të Poshtëm, kurse ajo është nis për Prishtinë për punë të veta. Më kanë thirr ambulanca e Besisë, një motër emri s’më kujtohet e falënderoj shumë dhe një zotëri i cili ka qellu në vendin e ngjarjes. E ka humb vetëdijen, keni edhe video”, shtoi ai.

Bashkëshortit të Meritës e cila vazhdon të jetë e shtrirë në QKUK edhe pas dy intervenimeve kirurgjike që pati tha se sipas disa familjarëve, personi që shkaktoi aksidentin në fjalë ishte duke u kthyer nga spitali, por që i njëjti edhe pas kësaj ngjarje nuk ka telefonuar apo vizituar familjen me të cilën u aksidentuan. Në bashkëbisedim e sipër Bujari tregon se nuk e di as emrin e personit që u aksidentuan me gruan e tij dhe ndër të tjerash thekson se më së shumti në këtë rast janë mërzitur djemtë, sepse siç thotë i njëjti ishin gëzuar shumë që do të bëheshin me motër.

“Sipas disa familjarëve të tij ky paska ardh në Prishtinë me kontrollu gruan e vetë në mëngjes herët e mjekët për arsye të udhëzimit nuk e kanë kontrollu  e i kanë thënë shko merre udhëzimin edhe ai prej nervoze u kthy për në fshatin Llaushë me shpejtësi të madhe, tejkalim mbi 100km/h ka qenë prej nervozës ka vozit shpejtë. Këtë informacion ia kanë thënë nënës time familjarët e tij. Me atë kam informacione se ka qenë bashkëshortja por nuk kam informata nëse është lënduar”, ka thënë Bujar Humolli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat