Zbardhen 3 vrasje të vjetra në Elbasan, arrestohet Florenc Çapja

Kronikë e zezë

Zbardhen 3 vrasje të vjetra në Elbasan, arrestohet Florenc Çapja

Më: 15 qershor 2019 Në ora: 09:55
Ilustrim

Operacioni/ RENEA dhe FNSH zbarkojnë në qytetin e Elbasanit. Në pranga 13 persona, disa prej tyre nga fisi Çapja. Kontrolli në banesa, sekuestron arsenal armësh dhe pajisje të policisë në banesat

Reparti RENEA dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë zbarkuar orët e para të mëngjesit të djeshëm në qytetin e Elbasanit, për të ekzekutuar disa arrestime në fisin Çapja. Kontrollet janë kryer në banesat e familjarëve Çapja, ndërsa në pranga janë vënë 13 persona, 2 janë shpallur në kërkim për vrasje; plagosje; rrëmbim personi; armëmbajtje pa leje; korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike; korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë; prodhimi, mbajtja dhe shitja pa leje e armëve të ftohta dhe mbajtja pa të drejtë e uniformës si dhe prodhimi dhe shitja e narkotikëve. Këta shtetas janë prangosur me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda pas dyshimeve se janë të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale të ndodhura në Elbasan që nga viti 2006. Një nga të arrestuarit është edhe Florenc Çapja. Ndërkohë, gjatë hetimit të këtij rasti, prokuroria zbuloi dhe korrupsion në lidhje me dhënien e licencave për disa kabllorë. Për këtë episod janë prangosur 6 persona, ndër ta ish-anëtarë të AMA-s. Janë kryer kontrolle në ambiente të shumta, ndërsa janë sekuestruar edhe një arsenal armësh.

Operacioni

Në një deklaratë për media, zv/Drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj theksoi se janë zbardhur dhe dokumentuar tre ngjarja kriminale të ndodhura vite më parë. Gjithashtu, sekuestrohen një sërë sendesh të kundërligjshme. Hetimet për operacionin e djeshëm në Elbasan mësohet se kanë nisur një vit më parë, nën drejtimin e prokurorit Ridvan Sukja.

Tre ngjarjet e vjetra

Rasti i parë ka të bëjë me tentativën e vrasjes në vitin 2006 të Fatmir Metës, pas përplasjeve me fisin Çapja. Për këtë ngjarje akuzohet Florenc Çapja, e ndodhur më datë 30.01.2006, në Elbasan. I dyshuari për këtë ngjarje, tashmë është vënë në pranga. Dosja e dytë e zbardhur lidhet me vrasjen e Gentian Beqirit dhe babait të tij, ngjarje e ndodhur në 15.08.2012, në lagjen “Çlirimi”, Elbasan. Gentian Beqiri ishte një ndër të arrestuarit disa kohë para ngjarjes për vrasjen e Sokol Çapjes, por më 15 gusht të 2012-s dy persona, hynë në shtëpi dhe e qëlluan atë për vdekje. Pas pak minutash ata vranë dhe babanë e Gentianit, Nezir Beqiri. Policia deklaron se autorë të ngjarjes janë Ervis Bardhi, 38 vjeç, lindur në Kavajë dhe banues në Elbasan, “Lagjia Shënkoll”, dhe Etien Çani, 28 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan “Lagjia Çlirimi”, i cili është shpallur në kërkim. Ngjarja e tretë kriminale e zbardhur lidhet me pengmarrjen dhe plagosjen e ndodhur në 19.04.2013 në qytetin e Elbasanit, nga ku ka rezultuar se autorë janë Marjus Lulaj, (alias Suel Çela), 31 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan “Lagjia 5 Maji”, aktualisht person i shpallur në kërkim për një tjetër vepër penale (në kërkim për përplasjen në tregun agroushqimor me policinë) dhe E. Ç, 30 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, aktualisht i ndaluar për një vepër tjetër penale dhe vendimi ndaj këtij shtetasi u ekzekutua në ambientet e burgut në Elbasan. Ndërkohë, akuzat që rëndojnë ndaj Florenc Çapjas janë “Vrasje me paramendim të mbetur në tentativë” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.

Jelekë antiplumb dhe mjete policie

Më tej, Policia e Shtetit informon se gjatë operacionit të orëve të para të ditës së djeshme janë kryer kontrolle në disa banesa, ku janë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale sendet: Revolver “Nagant” me mulli, me gjashtë fishekë, kalibër 9 mm; Pistoletë gjysëm automatike e markës “Zoraki”, me gjashtë fishekë, kalibri 7.65 mm; Një krehër pistolete “TT”, me katër fishekë, model 54; 26 copë fishekë, model 54; 4 jelekë antiplumb; një shkop metalik nga ata me hapje me stampo police USING; një portofol lëkure me stampë Policia e Shtetit; 7 palë targa automjetesh, shqiptare dhe të huaja; 4 radio marrëse dhe dhënëse; një peshore elektronike; 735 gr lëndë narkotike e dyshuar mariuanë, e paketuar në atë formë e përgatitur për tu tregtuar; telefona celular. Gjithashtu nga kontrollet e banesave si rezultat i sendeve të paligjshme të gjetura është bërë dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: H. Gj (S)., 40 vjeç, për veprat penale “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, lëndëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja dhe shitja pa leje e armëve të ftohta”, dhe “Mbajtja pa të drejte e uniformës”. Si dhe është shpallur në kërkim shtetasi Q. H., 25 vjeç, për veprat penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Të arrestuarit

Florenc Çapja, 38 vjeç

Marjus Lulaj (alias Suel Çela), 31 vjeç

Endri Çopja, 30 vjeç

Ervis Bardhi, 38 vjeç

Etien Cani, 28 vjeç

Bledar Karaj, 39 vjeç

Adem Boriçi, 61 vjeç

Andrea Nathanaili, 67 vjeç

Suela Musta, 40 vjeçe

Izmir Hajdari, 51 vjeç

Artan Drazhi, 34 vjeç

Shkelqim Sula, 38 vjeç

Ervin Tahiri, 40 vjeç

Korrupsioni në AMA

Gjatë hetimeve të kryera për këtë dosje, policia thotë se ka dalë në dritë edhe një skemë korrupsioni nga punonjës shtetërorë të Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe të sektorit privat. Si rezultat i hetimeve u arrit që përmes provave ligjore të dokumentohej aktivitetit korruptiv i shtetasve të mëposhtëm, si dhe u ekzekutuan vendimet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan për të cilët është caktuar masa e sigurisë “Arrest me Burg” për veprat penale: “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”. Për këto vepra penale janë vënë në pranga shtetasit me inicialet: B. K., 39 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan; A. B., 61 vjeç, lindur e banues në Elbasan; A. N., 67 vjeç, lindur Sarandë dhe banues në Tiranë; S. M., 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë; I. H., 51 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë; A. D., 34 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan; Sh. S., 38 vjeç, lindur dhe banues në Labinot Mal-Elbasan, i cili u shpall në kërkim; E. T., 40 vjeç, lindur dhe banues në Tropojë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat