I akuzuari: Armën e kom ble në ‘merr-jep’, nuk e kom ditë se është pa leje

Kronikë e zezë

I akuzuari: Armën e kom ble në ‘merr-jep’, nuk e kom ditë se është pa leje

Më: 25 qershor 2019 Në ora: 19:54
Foto ilustrim

I akuzuari për armëmbajtje pa leje, Blerim Velija e ka pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur këtë të marte në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja e rastit Edina Jupolli, i akuzuari Velija, është deklaruar fajtor për veprën penale që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai ka thënë se në ditën kritike ua kishte prezantuar vet armën zyrtarëve të Policisë së Kosovës.

“Arsyeja pse nuk kam poseduar leje është se për këtë lloj arme nuk lëshohet leje, të paktën deri atëherë nuk ka pasur, unë në ditën kritike vet i kom tregu policisë se e posedoj këtë armë se kom besu që ajo nuk osht e kundërligjshme”, tha i akuzuari.

Ai ka shtuar se armën e kishte blerë përmes platformave “online”” në rrjete sociale, për arsye sportive.

“Unë atë e kam poseduar për arsye sportive, armën e kom ble në “merr jep” e munesh edhe ti gjyqtar me gjet. Ni armë që s’ka leje në merr jep s’munesh me gjet, shitblerja është publike. Më vjen keq mu prej policisë se s’kanë mujt me kuptu që është me kalibër 4.5”, ka shtuar i akuzuari.

Ai ka kërkuar nga gjykata që me rastin e matjes së lartësisë së dënimit të merr parasysh rrethanat lehtësuese, dhe t’i shqiptoj një dënim më të butë.

Pranimi i fajësisë nga i akuzuari Velija është mbështetur edhe nga prokurorja Jupolli dhe si e tillë është aprovuar nga gjykatësi i çështjes, Adnan Isufi, me arsyetim se është bërë sipas dispozitave ligjore.

Paraprakisht, prokurorja Jupolli ka bërë përmirësimin e dispozitivit të aktakuzës, ashtu që në rreshtin e parë ku është Podujevë, duhet të jetë Prishtinë, ndërsa pjesa tjetër e aktakuzës sipas saj, mbetet e njëjtë.

Shpallja e këtij aktgjykimi do të bëhet më 26 qershor, në ora 13:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 17 dhjetor 2018, Bekim Velija akuzohet se më 15 shtator 2018, në fshatin Prapashticë të Podujevës, pas kontrollit nga ana e zyrtarëve policorë në veturën “VW Golf”, pronë e të dëmtuarit Velija, në bagazhin e veturës ishte gjetur arma, të cilën në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armë, pa autorizim ka mbajtur në pronësi dhe ka poseduar armën, pushkë me tytë të gjatë sportive ajrore, një kuti diabolla me 357 copë, e cila pas identifikimit nga policia është konfiskuar.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin me veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 par.1 të KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat