Dënohet me burg shtetasi suedez, paraqiti në polici pasaportën e vëllait të tij binjak - Bota Sot
Dënohet me burg shtetasi suedez, paraqiti në polici pasaportën e vëllait të tij binjak

Kronikë e zezë

Dënohet me burg shtetasi suedez, paraqiti në polici pasaportën e vëllait të tij binjak

Më: 18 korrik 2019 Në ora: 16:55
Gjykata Themelore në Pejë

Gjykata Themelore në Pejë, të enjten, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për legalizim të përmbajtjes së rreme, shtetasit suedez, Kenneth Sorensen.

Ai është dënuar me 65 ditë burgim, për të cilat do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe atë prej 15 majit e deri më sot, kur edhe do t’i ndërpritet.

Për shkak të gjendjes së dobët ekonomike, i njëjti është liruar nga pagesa e shpenzimeve procedurale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall nga gjykatësi Sejdi Blakaj, pasi ai fillimisht pranoi fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

I akuzuari Sorensen, në shqyrtimin fillestar, deklaroi se është penduar për veprën e kryer, duke shtuar se ka ardhur në Kosovë me pasaportë të vëllait për shkak se e ka kuptuar që e ka gruan e tij shtatzënë.

Pranimin e fajësisë e ka mbështetur edhe mbrojtësi i tij, avokati Bujar Bërdynaj, dhe prokurorja Lumturije Hoxha.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur me 28 maj 2019, Kenneth Sorensen akuzohet se me 25 prill 2019, në stacionin policor në Pejë, e ka vënë në lajthim organin kompetent, përkatësisht policinë, dhe atë duke përdorur mjetin identifikues të rremë.

Në akuzë thuhet se, pasi që i njëjti është proceduar në polici për shkak të veprës penale të dhunës në familje, ai e ka paraqitur pasaportën e vëllait të tij binjak, Christofer Sorensen, dhe më pas, nga ana e Policisë së Kosovës, përmes zyrës për bashkëpunim ndërkombëtar, është vërtetuar identiteti i tij si Kenneth Sorensen.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...