Dy vjet e gjysmë burg për gjakovarin që tentim-plaçkitje në pompë

Kronikë e zezë

Dy vjet e gjysmë burg për gjakovarin që tentim-plaçkitje në pompë

Më: 31 korrik 2019 Në ora: 15:44
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Gjakovë ka dënuar me tri vjet e gjysmë heqje lirie të pandehurin V. Gj. për veprat penale vjedhje e rëndë, grabitje e mbetur në tentativë dhe lëndim i lehtë trupor sipas të Kodit Penal të Kosovës.

I pandehuri V. Gj. është gjobitur edhe me 900 euro, dhe është obliguar që të paguajë shpenzimet procedurale në shumën prej njëzet e pesë euro, shpenzimet e paushallit gjyqësorë në shumën prej njëzet e pesë euro si dhe shumën prej pesëdhjetë euro, në emër të kompensimit.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor të zhvilluar kundër të pandehurit V. Gj., gjykata ka ardhur në përfundim se në bazë të gjendjes së vërtetuar faktike dhe pranimit të fajësisë nga i pandehuri gjatë zhvillimit të procedurës,  i pandehuri i ka kryer tri veprat penale që i vihen në barrë.

I pandehuri akuzohet se në nëntor të vitit 2018, në Gjakovë, në pompën e derivateve “B. B.” me përdorim të forcës, në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim që vetes t’i sjell dobi pasurore, ka tentuar të përvetësojë paratë që i kishte pasur në kuletë shitësi i derivateve.

Derisa i pandehuri e kishte përvetësuar kuletën me para nga shitësi i derivateve dhe kishte tentuar të largohej, i dëmtuari e kishte penguar, duke u përleshur fizikisht, deri sa kishte arritur që ta kthente kuletën me para nga i pandehur për të lajmëruar policinë më pas.

Po ashtu, në nëntor 2018, në Gjakovë, i pandehuri V. Gj. futet në shtëpinë e të dëmtuarit Sh. B. duke shfrytëzuar momentin e volitshëm kur i dëmtuari nuk ishte në shtëpi, me forcë hapë derën hyrëse e cila ishte e mbyllur me dry, përvetëson disa gjësende, të cilat i dërgon për t’i shitur në hekurishte.

Të pandehurit i është vazhduar paraburgimi deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi. Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat