Vdekja e tmerrshme e 30-vjeçarit në Prizren, mohohet vetëvrasja, dëshmitarët japin një version tjetër

Kronikë e zezë

Vdekja e tmerrshme e 30-vjeçarit në Prizren, mohohet vetëvrasja, dëshmitarët japin një version tjetër

Më: 13 gusht 2019 Në ora: 17:26
Vdekja e tmerrshme e 30-vjeçarit në Prizren

Në orët e hershme të mëngjesit së ditës së hënë, në rrjete sociale është shpërndarë videoja e një nate më parë në Prizren, ku një person pa jetë shihet i shtrirë. Në media është raportuar se i ndjeri kishte bërë vetëvrasje, por në fakt, sipas dëshmitarëve, ai nuk kishte bërë vetëvrasje por kishte rënë nga ballkoni i fqinjit të tij. Policia thotë se asnjëherë nuk ka thënë se bëhet fjalë për vetëvrasje.

Por se si ndodhi ngjarja e kanë treguar dëshmitarët në kushte anonimiteti.

I ndjeri, Sh.K., rreth 30 vjeç, sipas dëshmitarëve, e kishte harruar çelësin e banesës së tij dhe për këtë e kishte të pamundur që të hynte brenda në banesë, në rrugën “Joni” të Prizrenit.

Sh.K. kishte kërkuar ndihmë nga fqinji i tij një kat më lart, që ta shfrytëzonte banesën e tij në mënyrë që nga ballkoni i komshiut, të kalonte në ballkonin e tij një kat më poshtë. Fqinji kishte pranuar, ndërsa për të shtuar masat e sigurisë, ai e kishte lidhur një litar në belin e tij në mënyrë që të mos binte.

Por fatkeqësia ndodhi kur litari i tij u këput dhe tashmë i ndjeri ra nga kati i pestë.

E për këtë, në kushte anonimiteti kanë folur edhe dëshmitarët.

“Ka qenë një krismë e madhe, por ishte errësirë dhe nuk kemi parë asgjë. Nga krisma menduam se ishte ndonjë aksident i rëndë. Më vonë janë dëgjuar shumë zëra që kërkonin të thirrej ndihma e parë dhe e kuptuam që kishte rënë nga ballkoni”, tha dëshmitari.

Ndërsa, në momentin që i ndjeri kishte rënë, “ai e kishte litarin ende të lidhur në bel, ka mundur të këputet apo të zgjidhjet”.

“Më vonë erdhi policia dhe përmes dritave të policisë e kemi parë më qartë trupin e më pas autoritetet i larguan qytetarët në mënyrë që të bëhen hetimet e duhura”, tha dëshmitari për Express, duke shtuar se “trupi është larguar rreth orës 00:00, ndërsa deri në orën 01:00 kanë qëndruar duke e pastruar vendin nga gjaku”.

“I është lutur fqinjit që ta shfrytëzojë banesën, e tani edhe atë e ka vendosur në një pozitë shumë të keqe sepse ia shfrytëzoi ballkonin e tyre për ta bërë një zgjidhje”, tha dëshmitari.

Se kështu ka ndodhur rasti, dyshon edhe policia. Vesel Gashi nga Policia e Prizrenit, tha se i ndjeri Sh.K. ka rënë nga ballkoni e nuk ka pasur për qëllim të bëjë vetëvrasje.

“Ne nuk e kemi thënë që është vetëvrasje. Jemi në fazën fillestare të hetimeve. Po i presim hetuesit që ta zbardhin rastin”, tha Gashi, i cili shtoi se rasti “është duke u hetuar si vdekje e dyshimtë”, duke e konfirmuar se dëshmitarët i kanë thënë fjalë të ngjashme edhe policisë për të gjithë ngjarjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat