Dënohen me burg e para dy të akuzuar për import të marihuanës

Kronikë e zezë

Dënohen me burg e para dy të akuzuar për import të marihuanës

Më: 16 gusht 2019 Në ora: 12:01
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Gjakovë - Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin dënues kundër të akuzuarve F. Sh. dhe A. I. për veprën penale, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” të kryer në bashkëkryerje ndërsa për të akuzuarin F. Sh. edhe për veprën penale, “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare” të Kodit Penal të Kosovës (Kodi i vjetër në fuqi deri më datë 14 prill 2019).

Të akuzuarit janë fajtor, sepse me datë 26 dhjetor 2019, rreth orës 21:30 minuta, në pikën kufitare “Qafë Morinë” - Gjakovë, saktësisht në fshatin Morinë, pa autorizim kanë importuar substancë narkotike e llojit “marihuanë” nga Republika e Shqipëria për në Republikën e Kosovë.

Me këto veprime të akuzuarit F. Sh. dhe A. I. kanë kryer veprën penale “posedimi, shpërndarja dhe shitja e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndërsa i akuzuari F. Sh. shtetas i Republikës së Shqipërisë, ka kryer edhe veprën penale “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare”.

Trupi gjykues pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe dëgjimit të dëshmitarëve ka nxjerrë aktgjykim dënues për të akuzuarit F. Sh., duke i shqiptuar dënim unik për dy veprat penale që i vihen në barrë prej tetë (8) muaj burgim dhe gjobë në shumën prej pesëqind e pesëdhjetë (550) Euro, ndërsa për të akuzuarin A. I. dënim prej shtatë (7) muaj burgim dhe treqind (300) Euro gjobë.

Të pandehurit janë obliguar që të paguajnë shpenzimet procedurale veç e veç në shumën prej njëzet e pesë (25) euro, shpenzimet e paushallit gjyqësorë në shumën prej njëzet e pesë (25)  euro si dhe shumën prej pesëdhjetë (50) euro, në emër të kompensimit të viktimave të krimit.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat