20 muaj burg efektiv për të akuzuarin që mashtroi gjilanasin për 340 mijë euro

Kronikë e zezë

20 muaj burg efektiv për të akuzuarin që mashtroi gjilanasin për 340 mijë euro

Më: 2 shtator 2019 Në ora: 11:02
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Gjilan, të hënën, e ka dënuar me 20 muaj burgim efektiv, të akuzuarin për mashtrim dhe legalizim të përmbajtjes së rreme, Faton Sylejmani.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Luljetë Shabani, i akuzuari Sylejmani për veprën penale të mashtrimit është gjetur fajtor dhe është dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim, ndërkaq për veprën tjetër penale të legalizimit të përmbajtjes së rreme, është dënuar me tre muaj burgim.

Më pas, ndaj tij është shqiptuar dënim unik prej një viti e tetë muaj burgim efektiv, për të dy veprat penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Sylejmani, po ashtu është obliguar që të paguajë shumën prej 30 euro në emër të viktimave të krimit, si dhe 30 euro të tjera të paushallit gjyqësor.

Ndërkaq, i dëmtuari Halil Shabani për kompensimin e dëmit material është udhëzuar në kontest civil.

Sipas gjykatëses Shabani, palët e pakënaqura ndaj këtij aktgjykimi, brenda afatit ligjor, kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 9 tetor 2015, ka ngritur aktakuzë ndaj tashmë të akuzuarit Faton Sylejmani, me arsyetimin se ai më 7 prill 2015, në Gjilan, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, apo duke fshehur faktet, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e vë në lajthim të dëmtuarin Halil Shabani, duke e shtyrë të atë të veprojë në dëm të pasurisë së tij.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari e mashtron të dëmtuarin duke ia shitur pronën e paluajtshme, e cila pronë nuk evidentohet fare në emrin e tij, por në emër të vëllait të tij, Ardian Sylejmani.

Sipas aktakuzës, i akuzuari përpilon kontratë për shitblerjen e asaj paluajtshmërie, në të cilën si çmim të shitjes e përcakton shumën prej 143,130.00 euro, dhe të njëjtën arrin ta vërtetojë tek noterja Lilijana Keniq, bazuar në autorizimin e falsifikuar, ndërsa në realitet vlera e kontraktuar me të akuzuarit dhe të dëmtuarit ka qenë 340,000.00 euro, për të cilën shumë edhe e dëmton të dëmtuarin.

Me këtë, Faton Sylejmani akuzohet se ka kryer veprën penale “mashtrimi”, nga neni 355, paragrafi 5, lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se më 7 prill 2015, rreth orës 10:38 në fshatin Stanishor të Novobërdës, i akuzuari me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ka vërtetuar kontratën mbi shitblerjen e paluajtshmërisë, me numër 040/15 të 7 prillit 2015, ashtu që fillimisht ka falsifikuar autorizimin me numër 1989/2015, sipas të cilit i njëjti është autorizuar nga vëllai i tij Ardiani, që në emër të tij dhe në llogari të tij para noterit, në cilësi të shitësit mund të nënshkruajë kontratë për shitblerjen e paluajtshmërisë për tokën e tij në Budrigë të Poshtme, Partesh, për të cilën përpilon kontratë me blerësin Halil Shabani dhe në këtë mënyrë e vë në lajthim organin kompetent – noteren Liljana Keniq, për të vërtetuar çështje të pavërtetë.

Me këtë, Faton Sylejmani akuzohet se ka kryer veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme”, nga neni 403 paragrafi i të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat