Pesë vrasjet tronditëse për konteste pronësore ndodhën këtë vit në Kosovë

Kronikë e zezë

Pesë vrasjet tronditëse për konteste pronësore ndodhën këtë vit në Kosovë

Më: 8 shtator 2019 Në ora: 00:47
Pamje nga vendi i ngjarjes

Qytetarët problemet që kanë me prona nuk po ia lënë sistemit të drejtësisë, por, po bëjnë vetëgjyqësi.

Para dy dite, krimi në Prishtinë për motive pronësore, ku Bashkim Mehmeti dhe Mefail Rafuna u vranë e dy mbetën të plagosur, tronditi qytetarët.

Ndërsa, sot, therja me thikë mes nipave dhe dajës për pronë ishte fatale për Fadil Krasniqin nga Lipjani.

Vetëm këtë vit, po bëhen pesë vrasje që kanë ndodhur për shkak të pronës apo kontesteve pronësore.

Njëra ndodhi në fshatin Marmull të Gjakovës, ku i vdekur mbeti Tun Bezhi, 40 vjeçar.

I arrestuar në këtë rast ishte Alfred Gjugja, ku policia gjatë arrestimit të tij kishte konfiskuar armën me të cilën dyshohet se Gjugja kreu veprën penale.

Ndërsa, Prokuroria e Gjakovës është deklaruar lidhur me rastin, duke thënë se motivet e kësaj vrasje dyshohet të jetë për shkak të çështjes pronësore.

Vrasja e dytë ndodhi fshatin Sadovinë të Vitisë, ku 59-vjeçari Muhamet Ismaili u rrah për vdekje nga kushërinjtë.

Konkretisht në fshatin Sodovinë e Qerkezve, komuna Viti, si pasojë e një rrahje mes dy familjeve, në të cilën janë përdorur mjete të forta, një person është privuar nga jeta, ndërsa disa të tjerë kanë pësuar lëndime trupore.Për këtë rast, janë arrestuar 5 (pesë) persona, të dyshuarit B.I. dhe F.I., për shkak të dyshimit të veprës penale ‘’Vrasje’’, ndërsa të dyshuarit I.I., I.I. dhe S.I., për shkak të veprës penale ‘’Pjesëmarrje në rrahje’’.

Ndërsa, pardje dhe sot, humbën jetën tre persona për shkak të konflikteve për pronë.

Policia e Kosovës rastet e vrasjeve i trajton duke u bazuar në ligjet e aplikueshme në vend dhe në konsultim me Prokurorinë kompetente ndërmerr të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme për kompletim dhe procedim të rasteve tek organet kompetente.

Në një përgjigje për Indeksonline, ata bëjnë të ditur se vitin e kaluar kanë ndodhur gjithsej 32 raste të vrasjeve për problemin e njëjtë.

“Ne në vazhdimësi kemi ndërmarr veprime konkrete për parandalim qoftë përmes fushatave të ndryshme për vetëdijesim për të gjitha aktivitetet e kundërligjshme që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme apo që mund të qojnë tek kryerja e akteve të tilla. Duke ju referuar të dhënave në Policinë e Kosovës për rastet nga Neni 178 ‘Vrasje’, për vitin 2019 nga data 01.01.2019 deri 06.05.2019 janë evidentuar gjithsej 2 vrasje. Ndërsa në vitin 2018 kemi pasur gjithsej 32 raste të vrasjeve”, thuhet në përgjigjën e tyre.

Se ka shumë raste që familjet janë në konteste pronësore, për cka edhe po ndodhin vrasje, tregojnë edhe statistikat e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Numri total i të gjitha llojeve të kontesteve që gjenden nëpër gjykatat e Kosovës e që ende nuk janë zgjidhur është 44 mijë e 213 lëndë.

Në mesin e tyre janë edhe kontestet pronësore të pazgjidhura e që janë 9 mijë e 177 lëndë “vërtetim i pronësisë’.

Ndërsa, edhe avokati Artan Qerkini ka apeluar qytetarët që çështjet e natyrës së tillë t’i zgjidhin përmes gjykatave.

Ai ka thënë se kontekstet eventuale ndër njerëzore duhet të zgjidhen përmes rrugëve gjyqësore.

“Ky akt krijon një shqetësim të madh tek qytetarët, sidomos në lidhje me motivet për të cilat është kryer akti. Ne si shoqëri duhet të kemi parasysh që të gjitha konfliktet, apo kontestet eventuale duhet të zgjidhen përmes rrugëve gjyqësore dhe se veprimet e kësaj natyre nuk janë të mira. Natyrisht, sepse jo vetëm që nuk i zgjidhim, por edhe shkaktojnë konflikte tjera të përmasave edhe me te mëdha”, ka thënë Qerkini.

Ndryshe, për rastin në Prishtinë, me urdhër të prokurorit kujdestar, janë ndaluar për 48 orë, personat me inicialet N.M., M.M., dhe F.R., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” .

Ndërsa, edhe për rastin e sotëm në Lipjan, Policia ka ndaluar dy persona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat