Pesë të arrestuar për falsifikim të dokumenteve, përfshirë edhe diploma shkollore

Kronikë e zezë

Pesë të arrestuar për falsifikim të dokumenteve, përfshirë edhe diploma shkollore

Më: 10 tetor 2019 Në ora: 16:26
Foto ilustrim

Policia e Kosovës me njësitë kompetente për hetimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit, pas hetimeve disa mujore, dje në lokacione të ndryshme në rajonin e Prizrenit dhe Prishtinës, ka arrestuar pesë persona të dyshuar për veprën penale “falsifikim i dokumenteve”.

Sipas Policisë, pesë personat e dyshuar tani më të arrestuar, duke vepruar në grup në një periudhë kohore, me veprimtari ilegale të shtrirë në disa komuna dhe rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës në këmbim të pagesave në tarifa të ndryshme, kanë siguruar dokumente zyrtare të falsifikuara–diploma të aftësimit profesional, diploma të shkollimit të mesëm e të tjera, për persona të ndryshëm.

“Pas disa muajve të zhvillimit të hetimeve profesionale dhe aplikimit të masave të përcaktuara sipas kodit të procedurës penale të  RKS-së (KPPRKS-së), nga sektori rajonal i hetimeve në Prizren në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit dhe Drejtorinë për Mbështetje të Hetimeve nga DPP në Prishtinë, dje me datën 09.10.2019, në flagrancë janë arrestuar pesë persona të dyshuar meshkuj/shqiptarë/kosovarë dhe një femër sh/kosovare) duke shitur diploma të shkollës së mesme. Si vazhdimësi e operacionit gjatë bastisjeve të realizuara në rajonin e Prizrenit dhe Prishtinës janë sekuestruar në cilësi të provave materiale: para,  telefona mobilë, kopje të diplomave të profileve të ndryshme, vula, formularë të ndryshëm, forma bllanko të diplomave e të tjera. Plani operativ është realizuar në bashkëpunim dhe bashkërendim të plotë nga Sektori Rajonal i Hetimeve, Drejtoria Rajonale në Prizren, prokurori i Prokurorisë Themelore-Prizren, Njësia për Reagim të Shpejtë në Prizren dhe Drejtoria për Mbështetje të Hetimeve në DPP Prishtinë. Të dyshuarit me vendim të prokurorit kompetent dërgohen në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orëve, për procedura të mëtejme ligjore”, thuhet në komunikatën e policisë.

Policia inkurajon qytetarët që çdo informacion të rëndësishëm që mund të dërgojë në parandalimin dhe luftimin e këtyre dukurive negative, përfshirë informacionet tjera që ndërlidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin, të vazhdojnë të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, në mënyrë që kryerësit këtyre veprave penale të dalin para organeve të drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat