Vritet 55-vjeçari në Shkodër, transportonte zahiretë nga fshati

Kronikë e zezë

Vritet 55-vjeçari në Shkodër, transportonte zahiretë nga fshati

Më: 22 tetor 2019 Në ora: 09:12
Policia

Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme, ndërsa viktimë është shtetasi Lazër Arraj (Pjetrushi). 55-vjeçari shkoi në fshat për të marrë zahiretë e dimrit, për të mos u kthyer më në Shkodër. Të vetmit dëshmitarë, 2 nipat e tij

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në Shkodër, ku një person është qëlluar për vdekje nga persona të paidentifikuar. Sipas informacioneve të policisë, ngjarja ka ndodhur në fshatin Palaj të Dukagjinit, ndërsa viktima është shtetasi Lazër Arraj, i njohur edhe me mbiemrin Pjetrushi. Viktima mësohet se po kthehej nga fshati Palaj ku kishte marrë me vete prodhimet bujqësore, ndërsa shkaqet e vrasjes mbeten misterioze. 55-vjeçari, është qëlluar dy herë me armë zjarri. Ai po largohej nga fshati për t’u kthyer në Shkodër, aty ku jetonte prej vitesh me familjen e tij. “Më datë 21.10.2019, rreth orës 12:00, në fshatin Palaj, Shkodër, dyshohet se është vrarë me armë zjarri shtetasi L. A., 55 vjeç, banues në fshatin Palaj, Shosh, Shkodër”, raporton policia. Viktima u gjet i pajetë në rrugën e fshatit nga nipërit e tij. Sipas burimeve policore, një grup hetimor u nis për në vendin e ngjarjes, për të nisur hetimet mbi shkaqet që sollën vrasjen e 55-vjeçarit, si dhe për identifikimin e autorit. Pas krimit, autori është larguar nga vendngjarja. Viktima kishte shkuar në malësinë e Dukagjinit si çdo prag dimri, për të marrë prodhimet e fundit që i shërbejnë për muajt e ftohtë të vitit, por nuk arriti të kthehej i gjallë në shtëpi. “Shërbimet e policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje dhe po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin e kapjen e autorit”, thuhet në njoftimin paraprak të policisë, e cila po merr në pyetje dëshmitarë në zonë, si dhe vetë të afërmit e viktimës. Nuk dihet nëse Arraj ka pasur ndonjë konflikt, por zyrtarisht policia sqaron se deri më sot ajo nuk ka marrë ndonjë denoncim.

Ngjarja

Mësohet se viktima, Lazër Arraj, 55 vjeç, kishte dalë me dy kuaj për të marrë ushqimet e dimrit për familjen, kryesisht qepë dhe patate në fshatin e origjinës. Duke qenë se fshati i lindjes ku dhe kishte marrë zahiretë e dimrit është larg, ai kishte dalë në rrugën kryesore me kafshët, të cilat u gjetën të ngarkuara me ushqime. Ndërkohë Arra u gjet i larë në gjak në rrugë, nga të afërmit e tij, dy nipërit. Ekzekutimi i 55-vjeçarit rezulton se është kryer me breshëri automatiku, duke bërë që viktima të gjejë vdekjen në vend, pa mundur të dilte në rrugën kryesore, prej nga me makina të rastit do të çonte ushqimet drejt banesës së tij. Dy kuajt me të cilët ai po bënte transportin e zahireve, mësohet se i kishte marrë tek të afërmit e tij. Lazër Arraj, kishte vënë në dijeni nipërit e tij që të shkonin e të merrnin kuajt pas transportit që ai bëri deri në rrugën kryesore të fshatit, aty ku edhe do të priste furgonët e linjës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat