Vjedh fjalëkalimet për të shlyer obligimet tatimore, 6 muaj burg

Kronikë e zezë

Vjedh fjalëkalimet për të shlyer obligimet tatimore, 6 muaj burg

Më: 2 dhjetor 2019 Në ora: 15:50
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Pejë - Departamenti për Krime të Rënda ka dënuar me gjashtë muaj heqje lirie të pandehurin H.K. për vepër penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

I pandehuri H.K., në periudhën qershor 2016 e deri më 18.10.2016, në Pejë, duke qenë në pozitën e zyrtarit për Komunitete dhe Kthim në Komunën e Pejës, tejkalon autorizimet e tij ligjore me qëllim të përftimit të dobisë pasurore për vete dhe personat tjerë.

Ai përmes programit “Free Key Logger”, i cili shërben për vjedhje të fjalëkalimeve, merr fjalëkalimin e shfrytëzuesit të kompjuterit të G.T., zyrtar për Komunitete dhe Kthim në Komunën e Pejës, e duke shfrytëzuar këtë kompjuter por edhe kompjuterin e tij personal përmes programit “Pro tax”, hyn në sistemin kompjuterik të M.L., zyrtare për Tatim në Pronë në Komunën e Pejës, ashtu që gjatë periudhës së lartcekur ka arritur t’i shlyejë obligimet tatimore të J.K, E.A, A.K, N.B, V. M dhe R.K,  duke i sjellë vetes përfitim pasuror të kundërligjshëm.

Po ashtu, i pandehuri në fillim të muajit qershor 2016, nga dëshmitari B.G, merr shumën e të hollave prej 170 euro, për të shlyer obligimin tatimor të tij për gjashtë mujorin e parë të vitit 2016, por të njëjtit tatimin në fjalë nuk ia shlyen, ndërsa të hollat i kishte përvetësuar për vete në mënyrë të kundërligjshme.

Gjykata të pandehurin e njoftoi me mundësinë që dënimi i shqiptuar me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muaj, me pëlqimin e tij mund të zëvendësohet me dënim me gjobë në shumë prej 5.000 euro.

I pandehuri është obliguar që në emër të shpenzimeve të procedurës penale, gjykatës të ia paguaj shumën prej njëqind euro në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor shumën prej pesëdhjetë euro si dhe në emër të kompensimit për viktimat e krimit shumën prej pesëdhjetë euro.

Për realizimin e kërkesës pasurore juridike, të dëmtuarit udhëzohen në kontest të rregullt juridiko civil.

Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat