Ish-kryetari i Drenasit dhe ish-drejtori i arsimit lirohen nga akuza për keqpërdorim detyre

Kronikë e zezë

Ish-kryetari i Drenasit dhe ish-drejtori i arsimit lirohen nga akuza për keqpërdorim detyre

Më: 28 janar 2020 Në ora: 13:54
Foto ilustrim

Ish-kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku dhe ish-drejtori i Arsimit në këtë komunë, Sadik Tahiraj, janë liruar nga akuza për keqpërdorim detyre.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur të martën nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni.

Demaku po akuzohet se ia kishte lëshuar akt-emërimin punëtores Berisha, në pozitën inspektore e tregut, pa shpallur konkurs publik, pa iu nënshkruar procedurave të rekrutimit-punësimit, duke i sjell përfitim pasuror në vlerë prej 18,309.01 euro, me ç’rast e kishte dëmtuar edhe buxhetin e komunës.

Ndërsa, Tahiraj akuzohet se kësaj punëtoreje ia kishte lëshuar kontratën e punës për edukatore me parafillor në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Ali Gashi” në Drenas, pa pasur konkurs publik të shpallur, dhe e kishte punësuar pa përgatitje shkollore adekuate, ku më pas ia kishte lëshuar asaj edhe vendimin për transferim në Drejtorinë e Inspeksionit, si inspektore e tregut, duke e dëmtuar buxhetin e komunës në vlerë 756.18 euro.

Gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni ka thënë se nuk është provuar se Demaku e Tahiraj kanë kryer veprën penale me të cilën janë ngarkuar.

Sipas saj, nuk është vërtetuar se me veprimet e të akuzuarve i është shkaktuar dëm Komunës së Drenasit.

Kurse, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest të rregullt civil

Sipas aktakuzës së ngritur më 27 shtator 2018, Nexhat Demaku akuzohet se duke shfrytëzuar detyrën zyrtare si kryetar i Komunës së Drenasit, i kishte tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër.

Ai akuzohet se më 10 mars 2015, ia ka lëshuar akt-emërimin punëtores Mimoza Berisha në pozitën inspektore e tregut në Drejtorinë e Inspeksionit, në Komunën e Drenasit me kohëzgjatje prej 5 mars 2015 deri më 5 mars 2016, si dhe me 20 janar 2016, në kohëzgjatje prej 5 mars 2015 deri më 5 qershor 2018.

Këtë akt-emërim, Demaku akuzohet se ia kishte lëshuar Berishës, në Drejtorinë e Inspektoratit të Komunës së Drenasit, me titullin e vendit të punës inspektore e tregut, pa pasur konkurs publik të shpallur, duke mos iu nënshtruar procedurave të rekrutimit-punësimit.

Prokuroria për këtë veprim të tij, pretendon se Berishës i kishte sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm në vlerë prej 18,309.01 euro, ndërsa në këtë vlerë është dëmtuar edhe Komuna e Drenasit.

Lidhur me punësimin e Berishës, prokuroria po ashtu pretendon se ka keqpërdorur detyrën edhe ish-drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Drenasit, Sadik Tahiraj.

Ai akuzohet se më 3 nëntor 2014, ia ka lëshuar kontratën e punës për mësimdhënës Mimoza Berishës me titullin e vendit të punës, edukatore me parafillor në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Ali Gashi” në Drenas, si dhe me 3 nëntor 2014 ia kishte lëshuar asaj vendimin, në pozitën edukatore në atë shkollë, pa pasur konkurs publik të shpallur, dhe e kishte punësuar pa përgatitje shkollore adekuate, duke mos iu nënshtruar procedurave të rekrutimit-punësimit.

Gjithmonë sipas aktakuzës ai me 5 mars 2015, ia kishte lëshuar vendimin Berishës për transferimin e saj në Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Drenasit në vendin e punës inspektor i tregut, e me ç’rast Berishës i kishte sjell përfitim të kundërligjshme në vlerë prej 756.18 euro, duke i shkaktuar dem edhe buxhetit të komunës në vlerë prej 756.18 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat