Policia jep detaje për therrjen me thikë të të miturit në Pejë

Kronikë e zezë

Policia jep detaje për therrjen me thikë të të miturit në Pejë

Më: 12 shkurt 2020 Në ora: 14:55
Foto ilustrim

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin e therrjes me thikë të një të mituri në rrugën “Esat Mekuli” në Pejë.

Policia ka gjetur viktimën e plagosur dhe e ka dërguar në emergjencën e Spitalit të Pejës.

“Njësiti policor nga stacioni policor  në Pejë menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes në ora 9:45 ku edhe  është gjetur viktima në vendin e ngjarjes i plagosur nga mjeti i mprehtë në këmbën e majtë në pjesën e gjurit. Me autoambulancë është dërguar  në emergjencën e Spitalit Rajonal  të Pejës, e pastaj nën përkujdesje mjekësore është dërguar për në QKUK  në Prishtinë për trajtim të mëtejmë”, thuhet në komunikatën e Drejtorisë së Policisë së Pejës.

Sipas Policisë gjendja shëndetësore e viktimës është stabile dhe viktima është jashtë rrezikur për jetë.

Policia ka arrestuar dy persona të mitur në lidhje me ngjarjen

“Nga njësitë përkatëse të policisë janë ndërmarrë masat e nevojshme të menjëhershme dhe dy persona të dyshuar të moshës së mitur janë arrestuar, njëri për ‘shkaktim të lëndimit të rëndë’, ndërsa tjetri për ‘fshehjen e mjetit’ me të cilin ishte shkaktuar lëndimi”.

Njëri nga të arrestuarit është ndaluar ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt.

“Për rastin është informuar prokurori dhe me vendim të tij, personi i parë i dyshuar ndalohet për veprën penale ‘lëndim i rëndë trupor’, ndërsa i dyshuari i dytë për veprën e ‘dhënie të ndihmës pas kryerjes së veprës penale’ lirohet në procedurë të rregullt. Hetuesit janë duke punuar në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti”, thuhet në njoftimin e Policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat