Foshnja siriane vdes nga i ftohti me sytë hapur

Kronikë e zezë

Foshnja siriane vdes nga i ftohti me sytë hapur

Më: 14 shkurt 2020 Në ora: 12:56
Ilustrim

Foshnja siriane 1 vjeç e gjysmë Iman Ahmed Leyla e cila kishte mbetur pa shtëpi për shkak të sulmeve të regjimit të Asadit dhe mbështetësve të tij në Siri ka vdekur me sytë hapur nga i ftohti në një kamp në kufi me Turqinë ku ajo ishte strehuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Foshnja Iman u dërgua dje në mëngjes në spitalin Şifa në rajonin Afrin të Sirisë nga familja e saj e cila pas migrimit nga Idlibi qëndronte në një barakë pa xhama në territorin e strehimit të përkohshëm në jugperëndim të Afrinit.

Por, pas mbërritjes së vogëlushes 1 vjeçare në spital u kuptua se zemra e saj kishte ndaluar së rrahuri.

Në fotografinë që spitali Şifa në Afrin ka ndarë me AA-në dhe për të cilën thuhet se është shkrepur pas vdekjes së foshnjes, vërehet se Iman është me sytë hapur dhe se një dorë e drejton trupin e vogël të saj për shkrepjen e fotografisë.

Në raportin e spitalit rreth vdekjes së saj thuhet se foshnjës me peshë vetëm 4.5 kg i ka ndaluar zemra pas ndërprerjes së frymëmarrjes si rezultat i ftohjes së rëndë, meqë ajo ka vuajtur nga mungesa e ushqimit dhe në të njëjtën kohë ka luftuar me sëmundjen “atrofi cerebellare” (zvogëlimi i vëllimit të trurit të vogël).

Mësohet se familja në vitin 2018 migroi drejt Idlibit nga rajoni i Gutës Lindore të kryeqytetit sirian Damask pas evakuimit të kryer si pasojë e sulmeve të Rusisë dhe regjimit. Për shkak të bombardimeve, familja ndërroi vendin disa herë dhe u largua në pjesën periferike të Afrinit në afërsi të kufirit Siri-Turqi.

Si pasojë e sulmeve intensive të forcave të regjimit të Bashar al-Asadit dhe Rusisë ndaj vendbanimeve në rajonin e deeskalimit Idlib të Sirisë, në afërsi të kufirit Siri-Turqi kanë migruar rreth 1.8 milionë civilë që nga janari 2019 e deri më tani.

Një pjesë e madhe e të zhvendosurve janë vendosur në rajonin e kampeve në vijën kufitare me Turqinë ndërsa një pjesë tjetër në zonat e operacioneve “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit” të cilat Turqia i ka pastruar nga terroristët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat