Prostitucioni në Kosovë, rreth 60 persona të arrestuar për 1 vit - Bota Sot
Prostitucioni në Kosovë, rreth 60 persona të arrestuar për 1 vit

Kronikë e zezë

Prostitucioni në Kosovë, rreth 60 persona të arrestuar për 1 vit

Më: 17 shkurt 2020 Në ora: 17:55
Foto ilustrim

Një pjesë e moteleve, hoteleve e qendrave të masazhit në vend, duket se janë kthyer në qendra të seksit. Nuk janë të rralla rastet që në të tilla lokale, ushtrohet prostitucion. Vetëm gjatë vitit të kaluar për këtë vepër janë vënë pas prangave 59 persona. Gjatë së njëjtës periudhë kohore, Policia ka kontrolluar mbi 270 motele, hotele e lokale nën dyshimin për këtë veprimtari.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës që ka siguruar media, në pesë vitet e fundit janë arrestuar rreth 500 persona si të dyshuar për marrje me prostitucion.

Vitet me më së shumti të arrestuar për këtë vepër po del të kenë qenë 2016’ta dhe 2017’ta. Por, bazuar me numrin e të arrestuarve gjatë vitit 2018, numri i këtyre rasteve ka shënuar rënie.

“Të dyshuarit janë të moshave të ndryshme dhe të të dy gjinive”, kanë deklaruar nga Policia.

Deklarojnë se gjatë vitit të kaluar janë kontrolluar një numër i madh i moteleve, hoteleve e lokaleve, nën dyshimin për këtë veprimtari.

Si rezultat i këtyre kontrolleve dhe parregullsive që janë hasur, janë mbyllur 29 biznese të tilla.

“Gjatë vitit 2019, janë kontrolluar 272 motele, hotele, lokale, prej tyre 29 janë mbyllur me vendim të inspektorëve  për shkak të parregullsive të hasura”, thuhet në përgjigjet e Policisë.

Ndryshe, bazuar në ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës, veprimtaria e Marrjes me Prostitucion është e ndaluar dhe e sanksionuar me ligj, përkatësisht Ligji mbi Rendin dhe Qetësinë Publike nr. 03/L-142 neni 7.

Sipas këtij ligji, kushdo që përfshihet në një akt seksual të prostitucionit mund të dënohet me gjobë ose burgim.

“Kryesi i kundërvajtjes nga paragrafi 1 i këtij neni dënohet me gjobë prej njëqind (100) deri nëntëqind (900) Euro apo me dënimin me burg deri në gjashtëdhjetë (60) ditë”, parasheh Ligji.

E përderisa në Kosovë, prostitucioni konsiderohet si vepër kundërvajtëse, disa vende të tjera janë përpjekur ta rregullojnë me ligj.

Madje në këto vende, punonjëseve të seksit u ofrohen përfitime shëndetësore dhe sociale.

Gjermania, Holanda, Belgjika e Austria, janë vetëm disa prej vendeve ku prostitucioni është legalizuar. Të tjera vende janë edhe Zelanda e Re, Australia, Bangladeshi, Brazili, Kanadaja, Kolumbia, Danimarka, Ekuadori, Franca, Greqia e Indonezia.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat