Policia dhe Prokuroria japin detaje për vrasjen e Qerim Kelmendit në Pejë

Kronikë e zezë

Policia dhe Prokuroria japin detaje për vrasjen e Qerim Kelmendit në Pejë

Më: 27 shkurt 2020 Në ora: 08:19
Qerim Kelmendi

(E plotësuar) - Policia dhe Prokuroria Themelore në Pejë kanë dhënë detaje mbi vrasjen e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qerim Kelmendi mëngjesin e sotëm në Zahaq të Pejës. Ata thanë se fillimisht dyshohet që ka pasur të shtëna drejt viktimës e më pas i ishte vënë zjarri veturës së tij.

Zëdhënësi i Policisë në Pejë, Xhevat Ibraj tha se janë duke punuar për të ndriçuar vrasjen e Kelmendit.

“Përveç këtyre njësive vendit të ngjarjes i janë përgjigjur njësitet relevante të sektorit të hetimeve. Prokurori i shtetit, njësiti K9 dhe ekipi mjekësor që kanë konstatuar vdekjen e viktimës”, tha ai.

Ibraj u shpreh se për këtë rast janë në koordinim me të gjitha institucionet tjera relevante.

“Sektori Rajonal i Hetimeve në bashkëpunim të plotë me prokurorin e shtetit janë duke marrë të gjitha veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti të cilësuar vrasje dhe janë duke bërë përpjekjet maksimale për të identifikuar kryesit e mundshëm”, tha ai.

Ndërsa, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi tha se dyshimet janë që drejt viktimës fillimisht ka pasur të shtëna me armë, pastaj zjarrëvënie.

“Dyshimet fillestare janë që ka pasur të shtëna me armë zjarri në viktimën, e më pas zjarrëvënie në veturën e tij. Fatkeqësisht është i dëmtuar tejmase trupi i viktimës. Për çka edhe është dërguar në obduksion që të kryhet ekspertiza mjekoligjore”, tha ai.

Nikçi mes tjerash tha se janë duke punuar që të identifikohet kryesit e kësaj vepre.

“Në mënyrë intensive është duke u punuar në rrethanat hetimore që kjo çështje të ndriçohet sa më parë. Fillimisht në identifikimin pastaj në arrestimin e tyre”, tha ai.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm është gjetur i vdekur ish-ushtari i UÇK-së, Qerim Kelemendi. Kelemendi dyshohet se është vrarë dhe më pas edhe djegur në makinën e tij në një rrugë afër shtëpisë ku kishte banuar.

Image

***

Policia ka dhënë detaje për vrasjen në Pejë, ku është gjetur i vdekur një person brenda një veturë të djegur, përcjell Bota sot.

Njoftimi i Policisë: 

Me datën 27.02.2020 rreth orës 01:27, Policia e Kosovës Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, është informuar se në fshatin Zahaq-Pejë, në një rrugë është duke u djegur një veturë.

Me të marrë informatën njësitet e Stacionit Policor në Pejë kanë shkuar në vendngjarje, ku vërejtur një veturë e cila ishte përfshirë tërësisht nga zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë arritur njësitet e zjarrfikësve të cilët e kanë shuar në tërësi zjarrin.

Gjatë kohës derisa zjarrfikësit ishin duke lokalizuar zjarrin në brendësi të veturës është vërejtur një person (viktimë mashkull) trup i karbonizuar.

Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur njësitet relevante të sektorit rajonal të hetimeve, njësiti K9, si dhe prokurori i shtetit dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës.

Gjatë shikimit të vendit të ngjarjes është konstatuar se vetura e djegur është e tipit VW Passat me targa vendore.

Sektori Rajonal i Hetimeve pranë Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, ne bashkëpunim të plotë me prokurorin e shtetit janë duke u marrë të gjitha veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti të cilësuar ‘vrasje’ dhe janë duke u bërë përpjekje maksimale për të identifikuar kryesin ose kryesit e mundshëm.

***

Në orët e mesnatës është vrarë Qerim Kelmendi.

Burimet kanë bërë të ditur se Kelmendi është vrarë mbrëmë në fshatin e tij rreth mesnatës.

Policia ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht, Insajderi merr vesh Kelmendi është ekzekutuar në rrethana ende të paqarta.

Qerim Kelmendi është vëllau i Ibrahim Kelmendit, ish-anëtarit të Lëvizjes Popullore të Kosovës.

Insajderi do t’iu mbajë të informuar për këtë rast.

***

Një vrasje e rëndë ka ndodhur në Pejë, ndërsa bëhet e ditur se trupi i pajetë i gjetur pas mesnate fillimisht është vrarë me armë zjarri pastaj është djegur.

Këtë e konfirmoi, Shkodran Nikçi nga Zyra e Prokurorisë në Pejë.

Trupi i pajetë është gjetur në Zahaq të Pejës.

“Prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes mbrëmë pas mesnate ku kanë hasur në një trup të pajetë, i cili është vrarë me armë zjarri dhe pastaj është djegur”, bën të ditur nga Prokuroria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat