Tiranë, hyjnë në banesë lidhin familjarët dhe i grabisin: Na thanë jemi policia

Kronikë e zezë

Tiranë, hyjnë në banesë lidhin familjarët dhe i grabisin: Na thanë jemi policia

Më: 1 maj 2020 Në ora: 15:47
Ilustrim

Ka qenë orë 23:30, e 30 prillit,  kur 3 persona të armatosur kanë trokitur në banesën e familjes Zaja, duke u prezantuar si punonjës policie, dhe po krehnin zonën pasi ka patur denoncim për të shtëna me armë.

Fillimisht ka zbaritur kryefamiljari i cili u ka hapur derën, ndërsa grabitësit e kanë lidhur me litar në korridor. Pas kryefamiljarit, autorët janë ngjitur në katin e dytë, tek dhoma ku ndodhej djali 29-vjeçar, të cilin po ashtu e kanë lidhur.

Gruaja e shtëpisë, shprehet se ka qenë në gjumë kur grabitësit i mësynë shtëpinë, ndërsa dhe atë e kanë lidhur duke e kërcënuar me armë për dorëzimin e parave.

Deshmia e gruas: "Isha në gjumë, dëgjova një zhurmë. Na thanë janë policia. Kapën burrin e lidhën, pastaj lidhën edhe djalin. Më kapën edhe mua. Ishin 3 me maska. Bërtisnin se ishin policia. Kanë marrë telefona, lekë sa kanë gjetur. Kanë ushtruar dhunë ndaj burrit, i vunë ngjitëse. Më kanë marrë çdo gjë. Më ka ndodhur edhe një herë tjetër, më kanë marrë një motor. Nuk kam asnjë dyshim se kush mund të jetë.” 

E gjithë ngjarja ka ndodhur në prani të djalit të mitur, i cili është zgjuar i tmerruar nga të bërtiturat dhe kërcënimet e grabitësve.

Deshmia e vajzes: Njëri që ishte më i dobët dhe më i gjatë vjen tek dhoma ime. Nuk më prek sepse unë isha me fëminë e vogël. vetëm qëndron roje. Ishte i maskuar me kapuc e doreza dhe kishte kallash. Një tjetër ushtronte dhunë mbi babin, duke e pyetur: "Ku e ke armën, sepse është bërë denoncim. Babai thoshte se unë nuk kam armë. Kontrolloni cdo gjë nëse jeni policia. Ai që ishte lart dhe po më ruante mua thërret: Pusho! Mbyllja gojën." 

Policia zyrtarisht shprehet se autorët kanë marrë rreth 40 mijë lekë të reja nga familja Zaja, ndërsa janë larguar në drejtim të paditur. 

"Më datë 30.04.2020, rreth orës 23:50, në fshatin Qinam, 3 persona ende të paidentifikuar, dyshohet se nën kërcënimin e armës, duke lidhur familjarët, kanë vjedhur banesën e shtetasit B.Z, ku kanë marrë një shumë prej 40mijë lekësh. Vijojnë veprimet me grupin hetimor për zbardhjen dhe sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje" informon policia e Tiranes.

Sipas bluve, denoncimi është kryer rreth 10 minuta pas ngjarjes, duke u dhënë mundësi që të largohen drejt zonave të thella, në drejtim dhe të Fushë-Krujës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat