Korridori i atentateve mafioze/ Në Vlorë viktima për hesape droge, në Durrës për prona

Kronikë e zezë

Korridori i atentateve mafioze/ Në Vlorë viktima për hesape droge, në Durrës për prona

Më: 7 maj 2020 Në ora: 11:11
Ilustrim

Durrësi dhe Vlora pa asnjë mëdyshje mund të konsiderohen kryeqendrat e krimit të organizuar. Në njërën hesapet janë për drogën dhe grupet kriminale prej kohësh janë në luftën e larjes së hesapeve, ndërsa në Durrës kryefjalë mbeten pronat.

Nuk janë të paktat atentatet mafioze për këtë qëllim në të dy këto qytete bregdetare të vendit, kur shfrytëzojnë edhe pozicionin gjeografik që ato kanë. Në Vlorë trafiku i drogës dhe jo vetëm është aktiviteti i grupeve kriminale, ndërsa në Durrës pronat sidomos në Gjirin e Lalzit mbeten motivi për të vrarë.

Prej vitesh korridori i atentateve mafioze është ai Vlorë-Durrës. Ka shumë ngjarje të pazbardhura në të dy këto qytete. Shpesh grupe kriminale nga Vlora veprojnë edhe në Durrës. Vrasje mafioze të vlonjatëve janë regjistruar në rrugët e Durrësit, apo autostradat.

Ekspertët e Policisë thonë se në të dy këto qytete veprojnë grupe kriminale të mirëorganizuara, me elementë kriminale që tashmë kanë edhe fuqi ekonomike. Në shumicën e rasteve me precedent edhe jashtë shtetit dhe dosje nën hetim në Itali, apo Francë.

Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë pas vrasjes së dy vëllzërve Haxhia në Durrës, Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale në Policisë e Shtetit Tonin Vocaj ka nxjerrë një urdhër për sektorët e policisë kriminale në këto dy qarqe.

“Të kthehen për hetime operative të gjitha krimet e rënda në Durrës dhe Vlorë. Të identifikohen autorë të dyshuar dhe të mbahen nën vëzhgim persona që kanë histori krimi…” – thuhet pak a shumë në urdhrin e nisur tashmë për Policitë Kriminale në dy qarqet e vendit.

Vetë Policia ka nisur hetime për një bashkëpunin, apo edhe përplasje të grupeve kriminale të Vlorës me ato të Durrësit. Sipas Policisë, shumë personazhe të botës së krimit nga Vlora veprojnë në Durrës dhe anasjelltas.

Policia ka një bindje, ende pa provat e duhura ligjore se në atentatin ndaj dy vëllezërve ka edhe një bashkëpunim me dy persona nga Vlora, roli i të cilëve në krim ende nuk është i përcaktuar, por mendohet se ata kanë qenë për ngushëllim në familjen Haxhia.

Gjithsesi “të fortët” e Vlorës dhe ata të Durrësit do të mbahen nën vëzhgim të rreptë. Pas gabimeve të tyre në përditshmëri policia mendon të zbulojë krime që kanë tronditur banorët dhe që ende kanë mbetur pa autorë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat