Prizren, aktakuzë për të dyshuarin që tentoi ta vriste fqinjin - Bota Sot
Prizren, aktakuzë për të dyshuarin që tentoi ta vriste fqinjin

Kronikë e zezë

Prizren, aktakuzë për të dyshuarin që tentoi ta vriste fqinjin

Më: 3 qershor 2020 Në ora: 18:42
Ilustrim

Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj një personi të dyshuar për tentim vrasje.

Sipas aktakuzës, i pandehuri F.K. me dashje ka ndërmarrë veprime për kryerjen e vrasjes, por vepra nuk është realizuar.

Prokuroria pretendon se i pandehuri më 21 gusht të vitit 2019, rreth orës 15:50, në oborrin e shtëpisë së tij në Prizren, për shkak të mosmarrëveshjes me fqinjin e tij P.K., i cili i kishte vendosur skelet në oborrin e tij pa e pyetur, e kishte kërcënuar atë me pistoletë.

Pas kësaj, sipas aktakuzës, ka ndërhyrë vëllai i P.K., i dëmtuari A.K., duke ia kapur dorën ku e kishte pistoletën dhe gjatë përleshjes, i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit të tij, ai e ka pranuar shkaktimin e saj.

Shkrepja e plumbit me pistoletën e tipit “Ecol”, e ka goditur të dëmtuarin në nofullën e poshtme të djathtë, duke i shkaktuar thyerje të shumëfishta.

Po ashtu, viktimës i është shkaktuar lëndim i rëndë trupor, lëndim ky i ka shkaktuar paaftësim të përkohshëm në punë.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime i pandehuri F.K., ka përmbushur elementet e veprës penale – tentim vrasje.

“Po ashtu, në vend dhe kohë të njëjtë, i pandehuri F.K., me përdorim të armës seriozisht i kanoset personit tjetër me fjalë, vepra apo gjeste, në atë mënyrë që fillimisht derisa i dëmtuari P.K., ishte në skele, e kërcënon me fjalë dhe ia drejton pistoletën e tipit “Ecol”. Në këtë mënyrë, i pandehuri F.K., ka përmbushur elementet e veprave penale “Kanosje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprat penale të cilat i vihen në barrë.​

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat