Vrasësi që vrau me armë nënë e bijë 19 vjet më parë, padi kundër qeverisë pse liroi 175 të dënuar

Kronikë e zezë

Vrasësi që vrau me armë nënë e bijë 19 vjet më parë, padi kundër qeverisë pse liroi 175 të dënuar

Më: 15 korrik 2020 Në ora: 18:46
Foto Ilustrim

Shfaqet sërish Marjan Rroku, ish-agjenti i SHISH, i cili vrau 19 vjet më parë me armën e shërbimit studenten 16-vjeçare Alda Canajn dhe mamanë e saj Mbarime Canajn, krim për të cilin është dënuar me burgim të përjetshëm. Këtë herë, Marjan Rroku i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të rrëzojë ligjin e amnistisë, i miratuar nga Kuvendi në 30 janar të 2020, ku lanë qelitë e burgut 175 të dënuar, shumica gra. Përmes një padie, Marjan Rroku ka kërkuar shfuqizimin e amnistisë dhe rikthimin në qeli të të burgosurve që përfituan, me pretendimin se ai vetë është përjashtuar nga kategoria e të dënuarve që kanë përfituar shuarje të pjesshme të dënimit penal për shkak të amnistisë, duke cenuar sipas tij barazinë para ligjit.

Marjan Rroku ka parashtruar në kërkesën e tij se amnistia e miratuar nga Kuvendi është diskriminuese ndaj të dënuarve meshkuj dhe si e tillë është në kundërshtim me Kushtetutën, e cila në nenin 18 parashikon se të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit, duke sanksionuar ndalimin e diskriminimit mbi baza gjinore, racore, feje, etnie, gjuhe, bindjeje politike, fetare e filozofike, gjendjeje ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësie prindërore.

Gjykata Kushtetuese i ka hedhur poshtë pretendimet e Rrokut, duke rrëzuar kërkesën e tij në dhomë këshillimi. Trupa gjykuese e përbërë nga Elsa Toska, Fiona Papajorgji dhe Marsida Xhaferllari kanë vendosur mos kalimin e kërkesës së Rrokut për shqyrtim në seancë plenare. Sipas trupës gjykuese, “përcaktimi i kritereve përfituese ose ndaluese në ligjin për amnistinë është gjithashtu në diskrecion të Kuvendit, që vepron në reflektim të politikave penale të shtetit. Për më tepër, ligji nr. 5/2020 nuk jep amnisti për femrat e dënuara me të njëjtin lloj dënimi (burgim i përjetshëm) dhe për të njëjtën vepër penale që është dënuar kërkuesi”.

Në vendim thuhet gjithashtu se pretendimi i kërkuesit se Kuvendi ka detyrimin të miratojë ligje për dhënien e amnistisë edhe ndaj të dënuarve me burgim të përjetshëm dhe se ligji nr. 5/2020 i ka cenuar parimin e barazinë para ligjit dhe parimin e mosdiskriminimit është haptazi i pabazuar. Në vitin 2001, Rroku vrau Alda Canajn e nënën e saj, Mbarime Canaj. Mbarimja u vra në përpjekje për të mbrojtur të bijën nga plumbat, me çantën e dorës. Pas krimit të tmerrshëm që tronditi Shqipërinë dhe që përkujtohet çdo 8 mars, Rroku u arratis në SHBA, për t’i shpëtuar ndëshkimit. Por, ai u arrestua dhe më pas ekstradua në Shqipëri, ku aktualisht vuan dënimin me burgim përjetë.

Në vitin 2016, Marjan Rroku nisi një fushatë, me qëllim për t’u liruar nga burgu. Fusha nisi me një intervistë të realizuar nga Ardit Gjebreja, e konsideruar si një nga intervistat më skandaloze dhe të turpshme në historinë e gazetarisë shqiptare. Intervista shkarkoi një stuhi polemikash në Shqipëri, ndërsa publikimi i saj përkonte me nisjen e procedurave nga Rroku, për t’u liruar nga burgu. Megjithatë, edhe për shkak të indinjimit dhe presionit të madh publik, kërkesat e Rrokut për të rrëzuar burgun e përjetshëm u rrëzuan nga të gjitha shkallët e gjykatave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat