Dënohen me 5 vite burgim dy të akuzuarit për grabitjen e një telefoni, një pako cigare dhe 4 eurove

Kronikë e zezë

Dënohen me 5 vite burgim dy të akuzuarit për grabitjen e një telefoni, një pako cigare dhe 4 eurove

Më: 24 korrik 2020 Në ora: 15:39
Ilustrim

Gjykata Themelore në Gjakovë, të premten, i ka shpallur fajtor dy të akuzuarit për grabitje Edmond Limanaxhiu dhe Halit Korenica.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Gëzim Pozhegu, i akuzuari Limanaxhiu është dënuar me tre vjet burgim, ndërsa i akuzuari Korenica me dy vjet burgim, raporton BetimipërDrejtësi.

Sipas gjykatësit Pozhegu, i dëmtuari Denis Krasniqi është udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.

Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankesë në Gjykatën e Apelit në afat prej 15 ditësh, pas marrjes së aktgjykimin në formë të shkruar.

Ndryshe, dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 11 dhjetor 2018.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Edmond Limanaxhiu dhe Halit Korenica po ngarkohen me veprën penale “grabitja” nga neni 329 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 5 qershor 2018, rreth orës 23:00, në rrugën “Bekim Isma” në Rahovec, tek fusha e sportit, së bashku me të miturin J.SH, me përdorimin e forcës fizike kanë sulmuar trupin e të dëmtuarit Denis Krasniqi, ku i njëjti derisa ka qenë duke ecur së bashku me djalin e dajës së tij, Urim Krasniqi dhe në shoqërimin e dy vajzave të tjera, i akuzuari Limanaxhiu e ka ndalur të dëmtuarin duke e kapur për fyti, krahu dhe rroba, ndërsa i akuzuari Halit Korenica nën kërcënimin e një arme të ftohtë- thikë, e ka gërvishur në këmbën e majtë të dëmtuarin dhe së bashku e kanë futur në fushën e sportit, ku aty e kanë goditur më boksa, shqelma dhe shuplaka në pjesë të ndryshme të trupit, ku me ç’rast i akuzuari Limanaxhiu i ka marrë nga xhepi i pantallonave një telefon “Iphone 5s”, një pako cigare dhe para në vlerë prej 4 euro, të cilat i ka pasur brenda në pako të cigareve dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat