Zbardhet masakra ndaj miqve të Aldo Bares në’ Lushnje/ Ja kush janë të arrestuarit

Kronikë e zezë

Zbardhet masakra ndaj miqve të Aldo Bares në’ Lushnje/ Ja kush janë të arrestuarit

Më: 28 korrik 2020 Në ora: 14:53
Masakra ndaj miqve të Aldo Bares

Policia e Shtetit thotë se ka zbardhur vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, dy miq të Aldo Bares që u vranë në një atentat në vitin 2017.

Njoftimi i Policisë së Lushnjes:

Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur në vitin 2017, në Lushnjë, ku mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit Z. L. dhe J. H. dhe u plagos shtetasi M. Xh.

Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, pas një pune të mirëfilltë hetimore nga Komisariati i Policisë Lushnjë dhe Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale, u bë i mundur dokumentimi i ngjarjes së ndodhur në datën 11.10.2017, në lagjen ‘Loni Dhamo’, Lushnjë.

Sot më datë 28.07.2020 u organizua operacioni policor i koduar ‘Sarava’, për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, e cila, bazuar në provat e siguruara nga hetimi i Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë, për veprat penale ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’ e kryer në bashkëpunim, ‘Armëmbajtja pa leje’ dhe ‘Prishja e qetësisë publike’, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, ka caktuar masat e sigurisë ‘Arrest në burg’, për shtetasit:

Laert Haxhiu, 28 vjeç, banues në lagjen ‘Loni Dhamo’, Lushnjë, i dënuar më parë me 18 vite burgim, për veprat penale ‘Vrasja e mbetur në tentativë’, ‘Armëmbajtja pa leje’ dhe ‘Prishja e qetësisë publike’, si edhe me 3 muaj burg, për veprën penale ‘Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik’;

Orgest Bilbili, 30 vjeç, banues në lagjen ‘18 Tetori’, Lushnjë, i dënuar më parë me 7 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale ''Trafik narkotikësh'';

Anterio Kaloshi, 29 vjeç, banues në lagjen ‘Loni Dhamo’, Lushnjë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka caktuar më parë masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprën penale ‘Vjedhja me dhunë’ e kryer në bashkëpunim.

Për shtetasin Orgest Bilibili u bë ekzekutimi i vendimit të datës 25.07.2020 në IEVP Tiranë, ndërsa për shtetasit Laert Haxhiu dhe Anterio Kaloshi janë ushtruar disa kontrolle ambientesh, por nuk është bërë e mundur gjetja dhe kapja e tyre. Këta shtetas janë shpallur në kërkim dhe vijon puna intensive për gjetjen dhe kapjen e tyre.    

Gjithashtu, gjatë operacionit policor ‘Sarava’, nga ana e Policisë së Lushnjës, DVP Fier, FNSH Fier dhe forcat speciale RENEA janë ushtruar kontrolle në 13 banesa.

Nga kontrolli i këtyre banesave janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 armë gjahu teke, një sasi municioni luftarak, 30000 dollarë amerikan, disa doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, 4 automjete dhe 16 aparate celularë.

Në lidhje me sendet e paligjshme të gjetura dhe të sekuestruara gjatë kontrolleve u proceduan penalisht shtetasit L. Z., 36 vjeç, R. Z., 23 vjeç dhe H. T., 17 vjeç.

Në drejtimin  e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë vazhdojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat