Policia jep detaje rreth vdekjes së 7-vjeçares

Kronikë e zezë

Policia jep detaje rreth vdekjes së 7-vjeçares

Më: 5 gusht 2020 Në ora: 11:04
Foto Ilustrim

Një vajzë 7 vjeçe ka vdekur dje pasi i është përkeqësuar gjendja gjatë trajtimit mjekësor në një ordinancë private. Ajo ishte dërguar në QKUK, por nuk ka arritur të mbijetojë. Detaje rreth këtij rasti ka dhënë Policia e Kosovës.

Përmes raportit 24-orësh, Policia ka bërë me dije se për këtë rast janë intervistuar tre dëshmitarë.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion.

“Prishtinë 04.08.2020 – 10:30. Është raportuar se viktima femër kosovare (e mitur) dyshohet se ka ndërruar jetë gjatë një ekzaminimi. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar për obduksion, ndërsa tre dëshmitarë meshkuj kosovarë janë intervistuar dhe janë liruar në procedurë të rregullt. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raport.

Për këtë rast ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila ka bërë të ditur se e mitura i ishte nënshtruar një rezonance magnetike mëngjesin e së martës.

MSH-ja ka njoftuar se Inspektorati Shëndetësor do të vazhdojë hetimet rreth këtij rasti dhe së shpejti do të hartojë raportin përfundimtar rreth të gjeturave të inspektimit.

“Inspektorati Shëndetësor vazhdon hetimet rreth këtij rasti dhe së shpejti do të hartojë raportin përfundimtar rreth të gjeturave të inspektimit në këtë rast”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Ndërkohë, mjeku i klinikës ku është trajtuar 7-vjeçarja, Arben Kutllovci, përmes telefonit, ka thënë se vetë familja e tashmë të ndjerës kishte kërkuar që rezonanca magnetike të bëhej me anestezion.

“Zakonisht doza e anestezionit llogaritet në bazë të peshës trupore të pacientit… E keqja është që pacientja ka ndërruar jetë por sa na përket neve, ne jemi krejtësisht të pastër në këtë punë. Janë disa gjëra që garancione 100% nuk të jep askush. Unë këtë paciente e kam trajtuar edhe më herët. Këta edhe më herët kanë ardhur dhe i kanë kryer ekzaminimet. Kësaj radhe kanë kërkuar që të përdoret edhe anestezioni. Anesteziologët kanë ardhur por unë nuk kam qenë fare aty”, deklaroi Arben Kutllovci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat