Kishte të kaluar kriminale, si i ndihmuan dy zyrtarë të Komunës së Gjakovës ta ndërrojë identitetin një ish-polici të Kosovës

Kronikë e zezë

Kishte të kaluar kriminale, si i ndihmuan dy zyrtarë të Komunës së Gjakovës ta ndërrojë identitetin një ish-polici të Kosovës

Më: 17 shtator 2020 Në ora: 10:34
Foto ilustrim

Rreth katër vjet më vonë, Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës, u ka rënë në gjurmë dy zyrtarëve të Gjendjes Civile në Gjakovë, të dyshuar për tjetërsimin e identitetit të një personi tjetër.

Të dyshuarit u prangosën para dy ditësh, ndërsa ngjarja dyshohet se ndodhi gjatë viteve 2016-2017.

Por kush janë dy zyrtarët e arrestuar dhe si rrodhi ngjarja.

Mësohet  se personat e arrestuar në cilësinë e zyrtarëve të Gjendjes Civile janë Shkelzen Ahmeti i cili punon në Gjakovë dhe Avdyl Nuraj i cili punon në fshatin Rracaj. Ndërsa, personi që i është tjetërsuar identiteti quhet Sokol Abazi nga fshati Ramoc dhe sipas informacioneve dyshohet se ka marrë identitetin e ish-policit, i cili dyshohet se është një qytetar nga Shqipëria.

Dyshohet se Ahmeti e Nuraj e pajisën personin e tretë me identitetin e një personi tjetër, i cili sipas informacioneve  kishte të kaluar kriminale dhe e kishte të pamundur të udhëtonte në Kosovë.

Ndaj të dyshuarve është hapur rasti “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

“Gjakovë (NN) 2016-2017  NN. Nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit i PK-së, më 15.9.2020 janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj/kosovarë zyrtarë të Gjendjes Civile, pasi që të njëjtit në sistemin elektronik kanë regjistruar të dhënat e një personi me fotografi të një personi tjetër dhe kanë arritur ta pajisin me dokumente të Kosovës. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, ka njoftuar policia dje me anë të raportit 24 orësh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat