Organizoi dasmë me 70 persona në kohë pandemie, pejani thotë se nuk ndjehet fajtor

Kronikë e zezë

Organizoi dasmë me 70 persona në kohë pandemie, pejani thotë se nuk ndjehet fajtor

Më: 21 shtator 2020 Në ora: 12:22
Foto ilustrim

Të hënën, në Gjykatën Themelore në Pejë, është deklaruar i pafajshëm i akuzuari për veprën penale ‘‘për mosveprim sipas dispozitave shëndetësore sipas epidemisë’’, Ergjan Belegu. Ai akuzohet se në kohë të pandemisë kishe organizuar dasmë.

Pas leximit të aktakuzë nga prokurori Astrit Gashi, i akuzuari deklaroi se nuk e ndjen vetën fajtor për veprën penale që i vihet në barrë.

“Në kohën kur unë e kom pasur të organizuar dasmën e djalit, e kom pas të rezervuar në restorantin Qardak, mirëpo në ndërkohë kanë ndryshuar rrethanat, unë e kam anuluar ahengun në Qardak. Është e vërtetë që djali është martuar, nuk kam mundur që t’u them të ftuarve të mos vijnë për me e marr nusen, e për faktin se në atë kohë nuk ka pasur kurrfarë vendimi dhe me ligj nuk ka qenë e ndaluar një veprim i tillë’’, ka thënë Belegu.

Në këto rrethana, gjyqtari i çështjes Ahmet Rexhaj, e njoftoi të akuzuarin që në afat prej 30 ditësh, ka të drejtë që me shkrim të paraqet kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Ndërsa sipas tij, seanca e shqyrtimit të dytë do të caktohet pasi që të pranohet kërkesa për hudhje të aktakuzës nga ana e të akuzuarit.

Sipas aktakuzës së ngritur me 2 qershor 2020, Ergjan Belegu akuzohet se me 15 mars 2020, në Pejë, duke vepruar në kundërshtim me vendimin e Qeverisë së Kosovës, të datës 11 mars 2020, organizon dasmë familjare ashtu që në ditën kritike, në shtëpinë e tij ka martuar djalin e tij Dardanin, me ç’ rast ka pasur 70 persona të ftuar, përderisa Kosova ka qenë duka kaluar në periudhën e pandemisë, virusit COVID-19, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Andaj i akuzuari ngarkohet me veprën penale ‘‘për mosveprim sipas dispozitave shëndetësore sipas epidemisë’’, nga neni 250 të KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat